Kryeministri Rama sërish fton Diasporën të regjistrohet për të votuar në zgjedhjet parlamentare të 11 majit e për t’i dhënë fund asaj që e quan kënetë. Sipas tij, grupkapitujt po hapen me shpejtësi dhe Shqipëria është në rrugën e mbarë për t’u integruar brenda 2030-ës në BE. Komentet i bëri në bashkëbisedimin e radhës në rrjetet sociale.
Vota e 11 majit është vendimtare për Shqipërinë e 2030-ës. Brenda mandatit të katërt, pra brenda 2030-ës, të ngremë flamurin kuq e zi në BE, ndërkohë që këtu zien kazani me ujin e kënetës e bufin e kënetës që fryn zjarret e së shkuarës. 11 maji do të jetë fundi i fundit të historisë së kënetës me një buf që ka marrë peng opozitën shqiptare dhe i rri si hije mallkimi mbi kokë Shqipërisë që prej 1912-ës.
BE-ja nuk i hap derën askujt që nuk është gati për të kapërcyer pragun. Ne kemi hapur disa dyer dhe dy dyer të reja vetëm në fund të janarit e fillim shkurtit. Kemi marrë letrën e do të hapen në mars e prill.
Në rubrikën “Sy me Sy”, Rama u ndal edhe te Reforma në Drejtësi. Po ashtu, vuri në dukje se SPAK-u ka marrë të gjithë mbështetjen e tij dhe të Partisë Socialiste.
Për Reformën në Drejtësi marr përsipër autorësinë. Nëse SPAK-un do ta kishte sjellë Amerika, tani që Amerika është tërhequr nga kjo punë do ta kishte marrë me vete. Por, jo, SPAK-u është këtu. E vetmja garanci për vajtjen përpara të SPAK-ut është Partia Socialiste. Rrotullojeni nga të doni, Reformën në Drejtësi e kam bërë unë, me Partinë Socialiste.
Askush nuk mund të thotë se SPAK-u është i kontrolluar nga unë, por ai është një institucion i pavarur. Ne nuk do ta tolerojmë një sistem drejtësie të njëanshëm, jo profesional e në shkelje të standardeve demokratike. Kemi hyrë në një fazë tjetër, na duhet që të kemi një pozicion kritik për të gjitha gjërat që nuk shkojnë.
Ne nuk mund të pranojmë që në emër të pavarësisë, paraburgimi të bëhet një normë për të kapur dhe për të kyçur brenda pa gjyq, këdo qoftë, kur kushtet e domosdoshme që duhen plotësuar për paraburgosje janë shumë të qarta. Këto janë çështje të një diskutimi dhe debati demokratik. Ne duhet të vëmë emrin e Shqipërisë “Albania” në tryezën e familjes europiane, prandaj jam këtu, prandaj dua mandatin e katërt.