Bota

Trump miraton marrëveshjen bërthamore 30-vjeçare me Arabinë Saudite!

Presidenti amerikan, Donald Trump miratoi një marrëveshje 30-vjeçare me Arabinë Saudite për bashkëpunim në fushën e energjisë bërthamore civile, çka pritet të forcojë lidhjet mes dy vendeve në një kohë tensioni me Iranin.

E njohur si Marrëveshja 123, parashikon që kompanitë amerikane të kenë rol qendror në ndërtimin e infrastrukturës bërthamore saudite, duke kufizuar aksesin e konkurrentëve ndërkombëtarë.

Westinghouse Electric është ndër kompanitë që pritet të përfitojnë, duke konkurruar për kontrata për ndërtimin e reaktorëve bërthamorë.

Pjesa më e ndjeshme e marrëveshjes lidhet me mundësinë e pasurimit të uraniumit në territorin e Arabisë Saudite. Fillimisht, kryhet një studim i përbashkët SHBA-Saudite për të përcaktuar nëse ndërtimi i një impianti pasurimi është i justifikuar.

Nëse vendoset të ndërtohet, objekti ngrihet nga kompani amerikane dhe funksionon sipas një regjimi të “kutisë së zezë”, për të mos lejuar transferimin e teknologjisë së ndjeshme tek autoritetet saudite.

Marrëveshja synon të parandalojë devijimin e uraniumit të pasuruar për përdorim ushtarak dhe ripërpunimin e karburantit bërthamor të shpenzuar për prodhimin e materialeve të armëve.

Megjithatë, teksti nuk përfshin garanci të plota si “Standardin e Artë”, heqjen dorë të përhershme nga pasurimi i uraniumit, të cilin Emiratet e Bashkuara Arabe e pranuan në marrëveshjen e tyre me SHBA-të në vitin 2009.

Po ashtu, nuk kërkohet zbatimi i Protokollit Shtesë të IAEA-s, që do t’u jepte inspektorëve ndërkombëtarë kompetenca të zgjeruara për kontrolle të papritura.

Hapi tjetër është shqyrtimi në Kongresin Amerikan, ku marrëveshja pritet t’i nënshtrohet një procesi 90-ditor.

Nëse ligjvënësit nuk miratojnë një rezolutë kundërshtuese, pritet të hyjë në fuqi. Administrata Trump argumenton se kontrolli amerikan mbi objektet bërthamore do ta mbajë programin nën ndikimin e Uashingtonit.

Nga ana tjetër, kritikët paralajmërojnë se Riadi nuk po heq dorë përfundimisht nga pasurimi i uraniumit, duke lënë të hapur mundësinë e krijimit të impiantit të parë të tillë në mbretëri.