Një lojtar hungarez theu një rekord botëror Guinness duke luajtur lojën popullore Dance Dance Revolution për 144 orë. Szabolcs Csepe, 34 vjeç, i njohur edhe si GrassHopper, theu rekordet për maratonën më të gjatë të videolojërave. Ai theu rekordin prej 138 orësh e 34 sekondash, i cili u vendos nga lojtarja amerikane Carrie Swidecki në vitin 2015. Csepe më parë kishte fituar rekordin për maratonën më të gjatë të videolojërave duke luajtur një lojë Naruto, 28 orë, 11 minuta e 32 sekonda dhe për maratonën më të gjatë të videolojërave duke luajtur një lojë enigmash, 32 orë, 32 minuta dhe 32 sekonda.
Rikujtojmë se Netflix ka mbyllur studion që fshihej pas lojës së saj “Squid Game: Unleashed”, mes një ndryshimi në strategjinë për njësinë e saj të videolojërave. Mbyllja e studios u konfirmua nga bashkëthemeluesi dhe ish-drejtori ekzekutiv i saj, David Rippy. “Lajm i keq, sigurisht, por jam shumë mirënjohës për kohën që patëm në Netflix”, tha Rippy. Gjigandi i transmetimit, i cili është futur në reklama dhe videolojëra për të diversifikuar rrjedhat e të ardhurave të tij, bleu Boss Fight Entertainment në vitin 2022 për të zgjeruar ofertën e tij.
Ndërkaq, fushata “Stop Killing Games” ka mbledhur pothuajse 1.5 milion nënshkrime për të ndaluar mbylljen e video-lojërave online. Tani organizatorët po përgatiten për një takim me Komisionin Evropian dhe po luftojnë për të drejtat e lojtarëve. Iniciativa po fiton gjithnjë e më shumë mbështetje, dhe pasi në muajin korrik arriti mbi një milion nënshkrime, tani po i afrohet takimeve kyçe me ligjvënësit evropianë. Sipas portalit Engadget, lëvizja ka siguruar rreth 1.45 milion nënshkrime, të cilat aktualisht po verifikohen nga organizatorët. Qëllimi është të mbrohen të drejtat e lojtarëve dhe të sigurohet qasje e përhershme në videolojëra edhe pasi zhvilluesit ndalojnë përkrahjen për to.