Celebrities Gossip Showbiz

Romeo Beckham bën debutimin në aktrim me një film romantik?

Romeo Beckham po ndjek një rrugë krejtësisht të re në karrierën e tij. Djali 23-vjeçar i David dhe Victoria Beckham do të debutojë në aktrim me filmin romantik “Forty Love”, i cili pritet të dalë në kinema më vonë gjatë këtij viti.

Pas largimit nga futbolli në vitin 2024, kur ishte pjesë e ekipit B të Brentfordit, Romeo duket se ka vendosur të provojë fatin në industrinë e filmit, duke hapur një kapitull të ri larg fushës së blertë.

Filmi, i drejtuar nga regjisori Pierre-Ange Carlotti, zhvillohet në Rivierën Franceze dhe ndjek historinë e Sacha Gallo, një talent i ri i tenisit që stërvitet nën drejtimin e të atit me ëndrrën për të triumfuar në një turne të madh në Paris.

Megjithatë, jeta e protagonistit ndryshon kur në skenë shfaqet një rival i ri, i interpretuar nga Romeo Beckham. Personazhi i tij jo vetëm që sfidon aftësitë sportive të tenistit, por e detyron atë të përballet me ndjenjat, pasiguritë dhe pyetjet më të thella për veten.

Sipas përshkrimit të filmit, “Forty Love” është një histori që ndërthur sportin, ambicien dhe dashurinë, duke treguar se si emocionet mund të bëhen po aq sfiduese sa çdo ndeshje në fushë.

Në kastin e filmit bëjnë pjesë edhe emra të njohur të kinemasë franceze dhe ndërkombëtare, si Paul Kircher, Guillaume Canet, Catherine Deneuve dhe Benjamin Voisin. Ndërkohë, kolona zanore e projektit do të realizohet nga artistët 070 Shake dhe Johan Lenox.

Së fundmi është publikuar edhe fotografia e parë e Romeo Beckham në rol, ku ai shfaqet me një pamje krejtësisht ndryshe, me flokë shumë të shkurtra dhe përballë kolegut të tij Paul Kircher.

Debutimi i tij në ekran ka ngjallur menjëherë interes të madh, pasi Romeo bëhet anëtari më i fundit i familjes Beckham që provon një karrierë në botën e artit dhe argëtimit.

Pas modës, futbollit dhe angazhimeve në industrinë e reklamave, djali i David dhe Victoria Beckham duket i gatshëm të ndërtojë identitetin e tij në Hollywood, ndërsa mbetet për t’u parë nëse ai do të arrijë të ketë të njëjtin sukses edhe në aktrim.