Brooklyn Beckham është rikthyer në qendër të vëmendjes, por këtë herë jo për jetën e tij private apo projektet e biznesit, por për një reklamë të re që ka shkaktuar reagime të shumta në rrjetet sociale.
Djali i madh i David Beckham dhe Victoria Beckham është akuzuar nga shumë komentues se po përfiton nga konflikti i përfolur me familjen e tij për të tërhequr vëmendje.
Në videon promocionale për një kompani amerikane të shpërndarjes së ushqimit, Brooklyn shfaqet duke folur për Kupën e Botës 2026.
Në një moment ai thotë me humor:
Me siguri po pyesni pse po e ndjek Botërorin nga shtëpia… është një histori e gjatë
Kjo ndërsa më pas hedh disa bileta mbi tavolinë.
Në fund të reklamës shfaqet mesazhi:
Është e komplikuar. Së shpejti më shumë.
Këto komente u interpretuan menjëherë si referenca ndaj marrëdhënieve të tensionuara që ai ka me prindërit dhe pjesën tjetër të familjes Beckham, një çështje që prej muajsh ka qenë temë e mediave britanike.
Megjithatë, ajo që ka tërhequr edhe më shumë vëmendje janë komentet tallëse në internet, ku disa përdorues kanë rikthyer në kujtesë përpjekjet e mëparshme të Brooklynit për të ndërtuar karrierë si fotograf.
Në rrjete sociale, shumë persona ironizuan faktin se ai vazhdon të jetë në qendër të vëmendjes kryesisht për shkak të mbiemrit të famshëm, duke e quajtur një “nepo baby” dhe duke pretenduar se po përdor dramën familjare për të qëndruar relevant.
Reklama ka ndarë opinionin publik. Ndërsa disa fansa e kanë mbrojtur dhe e kanë parë si një batutë të pafajshme, të tjerë e kanë kritikuar ashpër, duke e akuzuar se po fiton vëmendje dhe publicitet nga një situatë familjare që deri tani është trajtuar si çështje private.
As Brooklyn dhe as familja Beckham nuk kanë reaguar zyrtarisht për polemikat e fundit, por duket se çdo lëvizje e tij vazhdon të ushqejë spekulimet për raportet e ftohta brenda një prej familjeve më të famshme të showbiz-it britanik.