Një fluks i lartë vizitorësh është shënuar gjatë këtij muaji, në kuadër edhe të festave të 28 e 29 Nëntorit në Muzeun Kombëtar “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” në Krujë. Drejtori i Muzeut Historik dhe Etnografik Krujë, Mehdi Hafizi, tha sot për ATSH-në se “nga 1 nëntori e deri më sot, rreth 10 mijë vizitorë e kanë vizituar muzeun”.
Pjesa më e madhe e vizitorëve që kanë ardhur në muze gjatë muajit nëntor kanë qenë nxënës shkollash nga të gjitha trevat shqiptare, të cilët kanë mësuar më shumë rreth historisë së popullit shqiptar dhe në veçanti të heroit kombëtar Gjergj Kastriot Skënderbeu.
Ndërkohë që qendra muzeore e Krujës ka shënuar gjithashtu fluks të lartë vizitorësh gjatë muajve janar-tetor. Në këtë periudhë, rreth 160 mijë vendas e të huaj vizituan Muzeun Kombëtar “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”, atë Etnografik, si dhe Pazarin karakteristik të Krujës.
Muzeu Kombëtar “Gjergj Kastriot Skënderbeu” është një nga muzetë më të vizituar në vendin tonë. I vendosur në brendësi të rrënojave të kalasë shekullore të Krujës, muzeu u hap mbi 40 vjet më parë, më 1982-shin.
Ndërtesa është e konceptuar si një fortesë e një kështjelle mesjetare shqiptare me një fokus kryesor në dokumentimin e jetës dhe veprës së Gjergj Kastriot Skënderbeut, Heroit Kombëtar të vendit. Muzeu ka mahnitur shumë vizitorë nga vende të ndryshme përgjatë viteve. Ai është kthyer në një pikë turistike fantastike.