Shfaqet vejusha e zezë dhe pickimet nga nepërka. Me fillimin e verës, në Urgjencën e Shërbimit të Toksikologjisë në QSUT janë shtuar rastet që vijnë për të marrë ndihmë mjekësore pas helmimeve nga merimanga e zezë, por edhe insekte të tjera dhe gjarpërinj.
“Kemi çdo ditë dy raste me helmime nga gjarpri, por kemi pasur edhe nga merimanga e zezë”, shprehet Andrin Tahiri, shef i Shërbimit të Toksikologjisë, QSUT.
Sipas Tahirit, janë më tepër raste fermerësh apo banorësh të zonave rurale, të cilët shpesh, nga pakujdesia, bien në kontakt me gjarpërinjtë apo merimangat, por u bën thirrje që të drejtohen menjëherë te mjeku, pasi pasojat janë të rënda.
“Helmimi shkakton pasoja të rënda deri dhe gjendje kome. Kemi pasur edhe një rast që e kaluam në intubim”, shton Tahiri.
Shefi i Shërbimit të Toksikologjisë këshillon banorët dhe të afërmit e tyre të mos përdorin mënyra popullore, pasi shpesh shkaktojnë dëme, duke e përkeqësuar gjendjen shëndetësore të personit të pickuar nga nepërka apo insekte të tjera.
“Shpesh hasim raste kur e çajnë te vendi i pickimit dhe e lidhin me një zhgute, duke menduar që i nxjerrin gjakun e helmuar, por dëmtojnë… Mjafton të njoftojnë ambulancën ose të shkojnë në qendrën shëndetësore më të afërt”, përfundon Tahiri.
Të gjitha qendrat shëndetësore janë të pajisura me antidotin kundër helmimit.