Të paktën 21 persona kanë humbur jetën dhe rreth 90 të tjerë janë plagosur pas një sulmi masiv me dronë dhe raketa që Rusia ndërmori gjatë natës ndaj kryeqytetit ukrainas, Kiev.
Kryebashkiaku i Kievit, Vitali Klitschko, e cilësoi sulmin si “më masivin” ndaj qytetit që nga fillimi i luftës, duke theksuar se, edhe pse sulme të mëparshme kanë shkaktuar më shumë viktima, kjo ishte breshëria më e madhe për nga numri i armëve të përdorura dhe shtrirja e zonave të goditura.
Mes objekteve të dëmtuara ishte edhe një stacion ambulance, ndërsa një pjesë e një pallati shumëkatësh në juglindje të Kievit u shemb si pasojë e shpërthimeve. Sulmet prekën disa lagje të qytetit, duke detyruar autoritetet të evakuonin banorët nga zonat më të rrezikuara. E premtja është shpallur ditë zie në kryeqytetin ukrainas.
Pak orë para sulmit, presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, kishte paralajmëruar se Rusia po përgatiste një ofensivë të re ajrore.
Nga Moska, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, deklaroi se Rusia do të vazhdojë të “rrisë presionin mbi regjimin e Kievit për të arritur objektivat e saj”.
Ndërkohë, autoritetet ukrainase akuzuan Rusinë për shënjestrim të qëllimshëm të zonave civile. Kreu i administratës ushtarake të Kievit, Tymur Tkachenko, bëri të ditur se mes viktimave ka edhe fëmijë, duke e cilësuar sulmin si një tjetër goditje të drejtpërdrejtë ndaj popullsisë civile.
Lufta mes Rusisë dhe Ukrainës vijon të përshkallëzohet, ndërsa sulmet ajrore ndaj qyteteve ukrainase mbeten një nga kërcënimet më të mëdha për civilët.
LEXO EDHE: Kievi godet fabrikën e armatimit në Rusi, teksa Moska lëshon një breshëri dronësh drejt Ukrainës…