Sali Berisha vijon me sulmet ndaj numrit një të SPAK-ut, Altin Dumani. Sot në të hënën e parë të muajit kur duhet të paraqitet në Prokurorinë e Posaçme për të zbatuar masën e detyrimit për paraqitje, kryetari demokrat u shpreh se pavarësisht denoncimeve të njëpasnjëshme, SPAK-u dhe kreu i saj nuk kanë reaguar për Taulant Ballën e Ulsi Manjën që sipas tij “kanë lidhje me grupet kriminale” dhe “dalin në shumë përgjime”.
Duke folur para gazetarëve, Berisha tha:
Ndaj dhe sot e përgjithmonë, ai do të mbetet si Altin Troplini dhe avokat kryesor i karteleve të drogës. Ju jeni dëshmitarë se unë kam paraqitur këtu para jush bashkëpunimin e ngushtë të Taulant Ballës me Suel Çelën. Bisedën e tyre të famshme telefonike ku i thotë Suel Çelës se ne po i arrestojmë kundërshtarët e tu dhe ju do jepni votat që ne kërkojmë. Dhe ky pakt u zbatua.
Dhe bisedën tjetër ku Suel Çela i thotë Taulant Ballës, se me një… nëmos gabohem Dritan Hallullin do të shkosh dhe të nxjerrësh nga burgu dy terroristë të vërtetë, të cilët i vunë në shalën e biçikletës tritolin Lulzim Kullës dhe tritoli ra në tokë dhe shpërtheu në mes të qytetit e mund të kishte shumë viktima.
Dhe këta të dy, Tao shkoi dhe i liroi bashkë me Hallullin, i cili është diku në KLGJ apo në KLP.
Ju jeni dëshmitarë se si Altin Hajri i thotë Çyrbes së tij shih pak, merrja masat një fije atij Olsit, se ai u tregua burrë i mirë, duke përdorur emrin e një Olsi, Olsi Ramës, për Ulsi Manjën. Ai nuk ishte Olsi Rama, por ishte Ulsi Manja. Dhe ju e keni vënë re si i ndërron kostumet Ulsi Manja. Garderoba e tij është me nj numër të pafundëm kostumesh, sepse siç bëri Altin Hajri, bënë edhe hajrat e tjerë.
Pra të gjitha këto mbrohen me vendosmëri nga Altin Troplini. Por, i siguroj se bashkëpunimi i tij me krimin do të marrë ndëshkimin e merituar. Kjo është çka unë lashë aty.
Mos harroni se Altin Troplini u dekorua pas arrestimit të Sali Berishës nga Antony Blinken, nga një i pafytyrë, anëtar i organizatës kriminale të Sorosit, që nuk hyn sot në zyrat federale të vendit të tij.