Rajoni

Sanksionet amerikane kundër Vulinit, presidenti serb Vuçiç: Duhet hetim!

Presidenti serb, Aleksander Vuçiç theksoi se “është jashtëzakonisht e rëndësishme të kryhet një hetim ndaj kreut të Agjencisë së Sigurisë dhe Informacionit (BIA), Aleksander Vulin”, pasi Shtetet e Bashkuara të Amerikës i vendosën sanksione.

Unë nuk e vura re që kokaina u gjet në zyrën e Vulinit, por në Shtëpinë e Bardhë. Por, mendoj se është jashtëzakonisht e rëndësishme të kryhet një hetim.

Një ditë më parë, Zyra për Kontrollin e Aseteve të Huaja në Departamentin amerikan të Thesarit tha se “Vulin është përfshirë në afera korruptive për “të shtyrë përpara axhendat politike dhe interesat e tij personale, në kurriz të paqes e stabilitetit në Ballkanin Perëndimor”.

Vuçiç nuk iu përgjigj pyetjes së gazetarëve nëse Vulin duhet të shkarkohet pas vendosjes së sanksioneve amerikane. Ai tha se për sanksionet ndaj Vulinit dhe qëndrimin e Serbisë, nesër do të flasë në detaje.

Ndaj tij nuk janë vendosur sanksione për ndonjë krim, korrupsion, asgjë. I janë vendosur sanksione për shkak të qëndrimit kundrejt Federatës Ruse.

Një pjesë e opozitës në Serbi kërkoi shkarkimin e Vulinit pas sanksioneve amerikane. Vulin, kryetar i Partisë Socialiste, pjesë e koalicionit të Partisë Progresive Serbe në pushtet, u vu në krye të Agjencisë së Sigurisë dhe Informacionit në dhjetor të vitit të kaluar. Drejtorin e Agjencisë e emëron dhe e shkarkon qeveria.

Ish-bashkëpunëtor i Mirjana Markoviçit, gruas së Sllobodan Millosheviçit, sot ai është partner koalicioni i Partisë Progresive Serbe në pushtet. Më 10 maj, Parlamenti Europian miratoi një rezolutë, ku shpreh shqetësimin për emërimin e Vulinit në krye të BIA-s.

Një person i njohur për retorikën e tij kundër BE-së dhe pro-Kremlinit.

Vulin është i njohur për publikun e gjerë, për retorikën e ashpër ndaj fqinjëve në rajon dhe miqësinë me Rusinë.

Në një nga kritikat e fundit kundër tij, ambasadat e Ukrainës e të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Beograd, si dhe BE-ja, kritikuan pjesëmarrjen e Vulinit në konferencën ndërkombëtare të sigurisë në Moskë, në maj të këtij viti.