Seriali i Netflix-it “Adolescence”, një dramë krimi për një djalë të akuzuar për vrasjen e shoqes së klasës, ka fituar zemrat e shikuesve dhe ka marrë vlerësime të larta nga kritikët, duke u konsideruar si një nga më të mirat në dekadat e fundit.
Çdo episod i këtij seriali u xhirua në Pontefract, West Yorkshire, por pas suksesit të madh të produksionit, një familje ka treguar historinë e saj të papritur, pasi shtëpia e tyre u bë vendi kyç për një nga serialet më emocionuese të Netflix.
Shtëpia në fjalë i përket Bethany Fletcher dhe partnerit të saj Dylan Naylor, të cilët ishin të befasuar kur morën një letër nga kompania e prodhimit Warp Films, duke i informuar se shtëpia e tyre ishte përzgjedhur për të shërbyer si lokacion xhirimi.
Në fillim, Bethany mendoi se ishte një mashtrim, por pas telefonatës dhe ardhjes së një grupi prej 20 personash për të filluar punën, ata e kuptuan se oferta ishte e vërtetë.
Shtëpia e familjes Fletcher dhe Naylor ishte zgjedhur për shkak të vendndodhjes së saj ideale: ndodhet në fund të rrugës, ka shumë dritë natyrale dhe është afër një parku. Gjatë xhirimeve, fqinjët e tyre u ngatërruan, duke menduar se ishte bërë një grabitje, pasi nuk dinin asgjë për projektin.
Një moment interesant ishte kur aktori Stephen Graham erdhi të vizitonte shtëpinë, dhe Bethany nuk e njohu menjëherë.
Xhirimet e serialit zgjatën tre muaj, periudhë gjatë së cilës familja duhej të largohej nga shtëpia e tyre dhe të jetonte në shtëpi të tjera, përfshirë ato të prindërve të Dylanit dhe nënës së Bethany.
Gjatë kësaj kohe, shtëpia u rimodelua plotësisht, madje edhe mobiljet dhe elementë të tjerë të brendshëm. Megjithatë, disa objekte të veçanta, si shtrati nga dhoma e Jamie dhe disa llamba, mbetën në shtëpi.
Pas xhirimeve dhe kompensimeve që morën nga kompania e prodhimit, çifti planifikon të përdorë fondet për të blerë shtëpinë që Bethany kishte trashëguar nga nëna e saj.
Seriali “Adolescence” është shndërruar në një hit të madh në Netflix, duke u renditur ndër përmbajtjet më të ndjekura dhe duke marrë vlerësime të shkëlqyera nga kritikët dhe shikuesit.