Aktualitet

Shembet rruga në Unazën e Poshtme në Burrel, 1.2 mln euro investim!

Unaza e poshtme e qytetit të Burrelit është dëmtuar totalisht, pasi ka pësuar shembje të mëdha duke bërë që në të, të mos ketë qarkullimin mjetesh.

Rikonstruksioni total i Unazës së Poshtme të qytetit të Burrelit është financim i Autoritetit Rrugor Shqiptar me vlerë 128 milion lekë të reja, i nisur një vit më parë.

Ky projekt po zbatohet nga kompania “ULZA” sh.p.k, ndërsa aktualisht ky objekt mbetet i pakolauduar dhe i pa marrë në dorëzim, çka pritet të kërkojë tjetër financim nga autoritetet për të riparuar dëmtimet.

Kjo rrugë ka qenë vazhdimisht problematike përsa i përket shembjeve, ku që prej vitit 2010 ishte thuajse e pakalueshme për mjetet e tonazhit të rëndë.

Si pasojë e reshjeve të shiut dhe dëborës, edhe disa rrugë dhe zona të Qarkut Dibër po përballen me probleme të qarkullimit dhe ndërprerje të furnizimit me energji elektrike.

Më të prekura janë disa fshatra në njësitë administrative Lurë, Bulqizë dhe Klos, ku rrëshqitjet e dheut dhe akulli kanë vështirësuar qarkullimin dhe kanë shkaktuar dëmtime në rrjetin elektrik.

Në Bashkinë Klos, rrëshqitjet e kanaleve vaditëse dhe të tokës kanë penguar disa akse: fshati Bershi përballet me masivin shkëmbor të rënë pranë rrugës Klos–Burrel, fshati Skënderaj ka rrezik nga rrëshqitja e tokës, ndërsa rruga në malin e Lezaj ka gërryerje që mund ta bëjnë të pakalueshme aksin.

Në Bashkinë Dibër, rruga Grykë–Nokës ka pësuar dëmtime nga rrëshqitjet e dheut dhe skarpatat, ndërsa rruga Zall-Dardhë–Shenllesh është e pakalueshme. Dëmtimet e disa shtyllave të tensionit të lartë kanë shkaktuar mungesë energjie në Njësinë Administrative Lurë.

Rrugët nacionale janë të kalueshme, dhe furnizimi me energji elektrike dhe ujë të pijshëm në pjesën tjetër të qarkut vazhdon normalisht. Strukturat e bashkive dhe operatorët kontraktorë vijojnë punën për të rikthyer qarkullimin normal dhe sigurinë në të gjitha aksin problematikë.