Aktualitet

Sherr me thika në gjimnazin e Cakranit në Fier/Një nxënës i plagosur!

Sherr me thika në shkollën e mesme të Cakranit në Fier, një nxënës i plagosur. I mituri u godit nga një 17 vjeçar, tashmë i shoqëruar nga policia. I lënduari, me katër plagë thike, ndodhet jashtë rreziku për jetën. Ai u dërgua në Spitalin Rajonal të Fierit. Si provë materiale, uniformat blu sekuestruan thikën e përdorur.

Paraprakisht, mësohet se sherri nisi një natë më parë në rrjetet sociale. Prokuroria u vu në lëvizje duke pyetur disa dëshmitarë dhe bëhet e ditur se dy mësuese ishin prezente. Ngjarja e rëndë ndodh në më pak se një muaj nga vrasja e Martin Canit pranë shkollës “Fan Noli” në Tiranë nga një bashkëmoshatar.

Rreth orës 08:30, gjatë një përleshjeje mes dy bashkëmoshatarëve, shtetasi B.D., 17 vjeç, ka goditur me thikë shtetasin Y.Xh, i cili është nxënës po në këtë shkollë. Pas ngjarjes, shtetasi Y.Xh. u transportua menjëherë në Spitalin Rajonal të Fierit, ku mori ndihmën e nevojshme mjekësore. Sipas mjekëve, i riu ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Policia ka reaguar shpejt dhe ka mundur të kapë dhe të shoqërojë shtetasin B.D. për veprime të mëtejshme hetimore. Po ashtu, autoritetet kanë sekuestruar thikën e përdorur si provë materiale. Grupi hetimor ka nisur hetimet për të sqaruar plotësisht rrethanat e këtij incidenti, dhe do të merren masa në përputhje me ligjin.