Rajoni

Sherri për një vendparkim, i moshuari vret shqiptarin në Greqi!

Një sherr banal, por i përsëritur në kohë u bë shkak për ekzekutimin e një shqiptari në Greqi. Sot në Pire, një 40-vjeçar me origjinë nga Korça, i identifikuar si shtetasi Brigen Limka u qëllua për vdekje me armë zjarri nga një shtetas grek, me të cilin përplasej vazhdimisht.

Sipas mediave në vendin fqinj, ngjarja ndodhi në rrugën “Praxitelous 147” të Pireut e ku viktima punonte si roje parkingu.

Sherri nisi pikërisht në parking,  pasi autori dhe viktima debatonin shpesh për vendin ku duhej të parkohej makina e 68-vjeçarit Dhimitris Kutrumanis. Ky i fundit e pengonte viktimën t’iu shërbente klientëve të parkimit që kishte me qira.

68-vjeçari e qëlloi një herë në kokë dhe sipas dëshmitarëve, duke mos u mjaftuar, u kthye sërish dhe e qëlloi për herë të dytë.

Menjëherë pas ngjarjes,  68-vjeçari u dorëzua në policinë greke. Raportohet se në fillim, viktima u dërgua në spitalin e Zaneio-s, por fatkeqësisht nuk mundi t’iu mbijetojë plagëve të marra. Autoritetet nisën hetime për zbardhjen e plotë të rrethanave të krimit që i mori jetën shqiptarit.