Aktualitet Art & Kulturë

Korça kthehet në kryeqendrën e muzikës frymore, nis Festivali Ndërkombëtar i Bandave

Korça është kthyer për dy ditë në kryeqendrën e muzikës frymore, duke mirëpritur edicionin e dytë të Festivalit Ndërkombëtar të Bandave.

Mbi 200 artistë nga Shqipëria, Italia, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut janë bërë pjesë e këtij eventi, i cili sjell parada, koncerte dhe aktivitete artistike në disa prej hapësirave më të frekuentuara të qytetit.

Organizatori i festivalit, Ilir Kodhima, u shpreh se pas suksesit të edicionit të parë, festivali po shndërrohet në një traditë të rëndësishme kulturore, duke krijuar mundësi bashkëpunimi mes orkestrave pjesëmarrëse dhe duke promovuar muzikën frymore edhe te brezi i ri përmes aktiviteteve edukative.

Korça, qytet me një traditë të hershme në muzikën frymore, u vlerësua edhe nga dirigjenti i Orkestrës Frymore të Forcave të Armatosura, Altin Babameto, i cili theksoi rëndësinë historike të qytetit dhe atmosferën që festivali sjell në jetën kulturore.

Për herë të parë në Shqipëri morën pjesë edhe artistë nga Kotori i Malit të Zi, ndërsa banda italiane pjesëmarrëse solli në Korçë një traditë muzikore afro 200-vjeçare. Të ftuarit e huaj vlerësuan organizimin dhe mikpritjen e qytetit, duke e cilësuar festivalin si një urë bashkëpunimi mes artistëve të vendeve të ndryshme.

Sipas Bashkisë së Korçës, festivali tashmë është pjesë e kalendarit të përvitshëm kulturor dhe synon jo vetëm të pasurojë ofertën turistike të verës, por edhe të nxisë interesin e të rinjve për instrumentet e frymës, duke ruajtur një traditë që ka qenë prej vitesh pjesë e identitetit artistik të qytetit.

Me interpretimet e orkestrave shqiptare dhe të huaja, Festivali Ndërkombëtar i Bandave pritet të mbledhë qindra artdashës në Korçë, duke e kthyer qytetin në një skenë të hapur të muzikës frymore.

“Ne jemi nga Mali i Zi. Orkestra jonë është nga Kotori i Malit të Zi. Është një nga orkestrat më të vjetra në Ballkan, e themeluar në vitin 1842. Kështu që këtë vit ne festojmë 184 vjetorin. Kjo është hera jonë e parë në Shqipëri dhe çdo gjë është perfekte falë Ilirit dhe gjithë organizimit. Jemi të kënaqur që jemi këtu dhe shpresojmë që çdo gjë të shkojë shkëlqyeshëm. Shpresoj gjithashtu që koncerti i nesërm në mbrëmje të jetë perfekt. Sot do të performojmë marshime, ndërsa nesër do të luajmë shumë kompozime të tjera, kompozime të njohura, muzikë filmash, muzikë klasike e çdo gjë tjetër”, shprehet Dario Krivokapiç, dirigjent.

Ndërsa Giuseppe Buccucci, drejtues i bandës thotë “Është një vend shumë i bukur, një organizim i përsosur. Përgëzime të gjithë qytetit sepse është vërtet një mikpritje fantastike. Jeni të mrekullueshëm! Faleminderit pafund për mikpritjen. Banda jonë ka rreth 200 vjet histori dhe jemi bashkuar me një bandë tjetër nga provinca e Kazertës (Caserta). Ne jemi nga Marke (Marche), në Itali, dhe së bashku marrim pjesë në disa festivale, ku njëri prej tyre organizohet në vendin tonë që quhet Castignano dhe jemi në edicionin e tretë. Jemi shumë të lumtur që ndodhemi këtu dhe që ndajmë me ju këtë eksperinecë fantastike”.