Pas shkarkimit të kreut të Prokurorisë së Krimeve të Rënda, Besim Hajdarmataj, nga Kryeprokurorja e Përgjithshme Arta Marku, reagoi kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha në një konferencë për shtyp. Basha e ka cilësuar një kamikaze të vënë në shërbim të Ramës kryeprokuroren e përkohshme, Arta Marku. Sipas Bashës, vendimi vjen pikërisht në ditën kur KQZ i hoqi zyrtarisht mandatin e deputetit Tahirit çka i jepte mundësinë prokurorisë që ta hetonte. Ndërkaq Basha tha se: “Tahiri do të heshtë për gjërat që di, ndërkohë që Rama do t’i sigurojë paprekshmërinë. Mbrëmë Rama deklaroi publikisht se nuk ka prova për Tahirin. Shkarkimi vjen vetëm pak ditë pasi prokuroria mori në pyetje shoferin e Tahirit, ditën kur prokuroria nuk kishte më nevojë për autorizimin e Ramës pasi KQZ konfirmoi heqjen e mandati të Tahirit. Vjen ditën që PD denoncoi ndihmën që Xhafaj po i jep vëllait të tij që rezulton i dënuar për trafik kokaine. Sipas kryedemokratit, Rama po bën gjithçka të shpëtojë Saimir Tahirin dhe lëvizja e fundit, sipas tij, është bërë në shkelje me ligjin. “Emërimi i kamikazes së re të Ramës është bërë në shkelje flagrante të ligjit. Është një vendim i paligjshëm. Prokuroria e Edi Ramës do të mbajë përgjegjësi ligjore për këtë. Ky vendim është i Edi Ramës që kontrollon plotësisht Markun. E gjithë struktura e prokurorisë tashmë është nën kontrollin e Ramës dhe synimi është mbrojtja e Tahirit, vëllait të Xhafajt dhe Olsi Ramës”, tha Basha.