E ftuar në “Live From Tirana” me Ronaldo Sharkën, ka qenë Anxhelina Bregu, inspektore e trafikut ubran. Ajo ka folur më shumë për profesionin e saj, vështirësitë, por dhe paragjykimet që kanë shumë njerëz…
Nëse shihni një drejtues mjeti që po përdor celularin dhe e ndaloni, cili është justifikimi më i shpeshtë që përdorin ata për t’i shpëtuar gjobës?
“Sapo pashë location… Sa e mora… Kam fëmijët tek çerdhja…”
Si e gjeni ju të mesmen e artë?
Unë e kam thënë dhe herë të tjera, nëse një drejtues apo drejtuese mjeti, ka një komunikim të mirë me punonjësin e policisë, edhe ne përdorim masën e këshillimit. Por duhet të theksoj, aty ku ne e gjykojmë që kjo shkelje nuk përbën rrezikshmëri për përdoruesit e tjerë të rrugës. Ai mund të përdorë aparatin celular sepse vërtet mund të ketë nevojë familjare dhe një hall familjar – unë konkretisht kam pasur një rast, ku një drejtuese mjeti ishte duke përdorur aparatin celular, duke e pasur tek dora e djathtë, kishte fëmijën për të çiar në spital – absolutisht unë e kam raportuar si rast dhe e kam shoqëruar deri tek dera e spitalit. Pra, dhe ne jemi njerëzorë. Nuk është qëllimi jonë që të vendosim sa më shumë masa. Ne duam reduktimin dhe mos pasjen e shkeljeve të përdorimit të aparatit celular. Duhet të kuptojmë që është një shkelje që të shpërqëndron nga drejtimi i mjetit. Për sa i përket masave, përdorimi i aparatit celular shoqërohet dhe me zbritje pikësh. Dhe në rast se të gjitha pikët në leje drejtimi ezaurohen, këtij drejtuesi mjeti i duhet që të rifillojë edhe njëherë të testohet, për të marrë lejen e drejtimit nga e para.