Bota

Shmanget “lufta tregtare” SHBA-Kolumbi!

Shtetet e Bashkuara dhe Kolumbia u tërhoqën nga nisja e një lufte tregtare, pasi Shtëpia e Bardhë tha se shteti i Amerikës Jugore ra dakord që të pranonte avionë ushtarakë me emigrantë të dëbuar nga SHBA-të. Presidenti Donald Trump, kërcënoi me vendosjen e tarifave dhe sanksioneve ndaj Kolumbisë, pasi paraprakisht ky shtet kishte refuzuar të pranonte avionët me të dëbuarit. Trump po zbaton politikën e tij për të larguar nga shteti emigrantët e paligjshëm.

Por, përmes një deklarate të orëve të fundit, Shtëpia e Bardhë tha se Kolumbia ra dakord të pranonte emigrantët dhe Uashingtoni nuk do të vendoste ndëshkimet e paralajmëruara.

Qeveria kolumbiane ra dakord me të gjitha kushtet e presidentit Trump, përfshirë pranimin e pakufizuar të emigrantëve ilegalë nga Kolumbia që do të dëbohen nga SHBA-të, avionët ushtarakë amerikanë, pa kufizime dhe vonesa.

Draft-urdhrat për vendosjen e tarifave dhe sanksioneve ndaj Kolumbisë do të ruhen, nuk do të nënshkruhen nëse Kolumbia e respekton këtë marrëveshje. Amerika po respektohet sërish. Presidenti Trump…. pret që të gjitha shtetet e tjera të botës të bashkëpunojnë në pranimin e qytetarëve të tyre të dëbuar.

Në një deklaratë, ministri i Jashtëm kolumbian, Gilberto Murillo, tha:

Kemi tejkaluar mospajtimet me qeverinë amerikane. Qeveria kolumbiane… e ka gati një avion presidencial për të lehtësuar kthimin e kolumbianëve të dëbuar.

Në deklaratë nuk u specifikua nëse marrëveshja përfshin fluturimet ushtarake, por aty nuk kundërshtohet njoftimi i Shtëpisë së Bardhë.

Murillo deklaroi se ambasadori i Kolumbisë në SHBA në ditët në vijim do të shkojë në Uashington për të përcjellë marrëveshjen që çoi në këmbimin e notave diplomatike mes dy qeverive.

Draft-masat e Uashingtonit që aktualisht nuk janë në fuqi, parashohin tarifa prej 25% ndaj të gjitha mallrave kolumbiane që shkojnë në SHBA. Kjo tarifë brenda një javë do të rritej në 50%. Masë tjetër është ndalesa e udhëtimeve dhe vizave për zyrtarët e qeverisë kolumbiane dhe sanksione në sistemin financiar dhe bankar.

Trump po ashtu ka kërcënuar se do të forcojë kontrollet kufitare ndaj shtetasve kolumbianë dhe mallrave. Para njoftimit për arritjen e marrëveshjes për fluturimet, Departamenti amerikan i Shtetit pati thënë se kishte pezulluar lëshimin e vizave nga Ambasada amerikane në Bogota.

Kolumbia është partnerja e tretë më e madhe tregtare e SHBA-ve në Amerikën Latine. Më herët, presidenti kolumbian, Gustavo Petro, dënoi dëbimet me avionët ushtarakë, por kishte shtuar se do të priste emigrantët nëse do të dëboheshin me avionë civilë, duke ofruar një avion presidencial për të lehtësuar këtë proces.

Trump e ka shpallur emigrimin ilegal emergjencë kombëtare dhe ka urdhëruar dëbimin e tyre që kur mori postin e presidentit më 20 janar. Ndërkaq, udhëzoi ushtrinë amerikane që të ndihmojë në sigurinë kufitare, lëshuar një ndalesë të gjerë ndaj azilkërkuesve dhe ka ndërmarrë hapa për kufizimin e shtetësisë për fëmijët e lindur në tokën amerikane.

Përdorimi i avionëve ushtarakë për dëbimin e emigrantëve nuk është i zakonshëm. Avionë të tillë kryejnë dy fluturime, me nga 80 emigrantë në secilin avion, për në Guatemalë javën e kaluar.