Shorti për finalet e Kampionatit Europian U-17 “Shqipëri 2025” do të hidhet më 31 mars, në “Shtëpinë e Futbollit”, një ngjarje historike që pritet të zhvillohet për herë të parë në vendin tonë. Kombëtarja shqiptare U-17 merr pjesë automatikisht në finalet e Kampionatit Europian pasi jemi vend organizator, ndërsa shtatë ekipet e tjera do të përcaktohen në datën 25 mars, kur do të përfundojnë ndeshjet e raundit të dytë të Ligës A.
Në këtë event madhështor, tetë skuadrat e kualifikuara do të ndahen në dy grupe e do të përcaktohet kalendari i ndeshjeve finale.
Në ceremoninë e shortit do të marrin pjesë zyrtarë të UEFA-s, përfaqësues të tetë skuadrave finaliste në Kampionatin Europian, figura të njohura nga futbolli botëror, përfaqësues të botës akademike, artit, politikës, medias, si dhe miq të federatave të tjera.