Kryeministri Edi Rama ka komentuar forcimin e lekut dhe rënien e euros, duke e cilësuar këtë zhvillim si një tregues të rritjes së ekonomisë shqiptare.
Gjatë eventit “Dyfisho sipërmarrjen tënde”, ku u prezantua programi i mbështetjes për bizneset e vogla dhe të mesme, Rama hodhi poshtë pretendimet se zhvlerësimi i euros lidhet me ekonominë informale apo flukse të paligjshme parash.
“Forcimi i lekut është sukses për ekonominë shqiptare. Është tregues kokëfortë i rritjes së ekonomisë”, deklaroi Rama, duke theksuar se në vend hyjnë çdo vit miliarda euro nga sektorë të ndryshëm.
Kryeministri tha se Shqipëria ka ende ekonomi informale dhe para të pista, por sipas tij kjo nuk është një dukuri vetëm shqiptare. Ai kritikoi zërat që, sipas tij, ia atribuojnë rënien e euros faktorëve negativë.
“Është shumë e ligë t’ia veshësh Shqipërisë duke qenë shqiptar këtë lloj kostumi kaq të ndyrë”, u shpreh Rama.
Duke folur për zhvillimet ekonomike, Rama përmendi rritjen e turizmit, duke thënë se gjatë këtij viti nga turistët e huaj kanë hyrë rreth 5.7 miliardë euro në vend.
Ai solli si shembull edhe rritjen e trafikut ajror, duke deklaruar se aeroporti i Tiranës është kthyer në më të madhin në rajon, duke kaluar edhe Beogradin.
“Si të mos forcohet leku pas gjithë këtyre treguesve?”, tha Rama.
Kryeministri foli gjithashtu për bizneset dhe pagat, duke deklaruar se sipërmarrjet tashmë po përballen me nevojën për të rritur pagat dhe për të krijuar më shumë besim te shqiptarët që kanë emigruar, në mënyrë që të rikthehen në tregun e punës vendas.