Gjykata e Posaçme e Apelit ka konfirmuar shpalljen fajtore të ish-kryebashkiakes socialiste të Libohovës, Luiza Mandi, e akuzuar për veprën penale të “shpërdorimit të detyrës”.
Por ndryshe nga Shkalla e Parë, Apeli i GJKKO-së pezulloi dënimin me 8 muaj burg për Mandin, duke e konvertuar në shërbim prove për 1 vit e 4 muaj.
Ish-kryebashkiakja e Libohovës u gjykua dhe dënua pas kallëzimit në SPAK të një qytetari, i cili pretendoi se i ishte dëmtuar prona gjatë një projekti publik për zgjerimin e një rruge.
Sipas tij, ndonëse qytetarit i ishte premtuar se do t’i riparohej prona, kjo gjë nuk ndodhi. SPAK konstatoi se qytetari i ishte cënuar prona private.
Luiza Mandi u zgjodh kryetare e Bashkisë së Libohovës në zgjedhjet lokale të vitit 2015, si përfaqësuese e Partisë Socialiste dhe e Aleancës për Shqipërinë Europiane. Ajo fitoi mandatin e parë me 53.54% të votave.
Mandi u përfshi në politikën lokale fillimisht si anëtare e Këshillit Bashkiak dhe më pas si kryetare e Bashkisë. Ajo është me profesion mjeke, si dhe ka mbajtur postin e drejtores së Qendrës Shëndetësore Libohovë.