Ambientet e reja të Gjykatës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), të inauguruara dje, u realizuan falë një mbështetjeje financiare të dhënë nga Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara (AAPSK), në kuadër të përdorimit të të ardhurave nga asetet e sekuestruara e konfiskuara për forcimin e institucioneve të drejtësisë dhe luftës kundër krimit të organizuar.
Përmes disa vendimeve të Komitetit Ndërinstitucional për Masat kundër Krimit të Organizuar, në vitin 2025, AAPSK alokoi financime me vlerë 104.2 milion lekë.
Kështu, AAPSK ka financuar projektin për rikonstruksionin e sallave të gjykimit dhe ambienteve të brendshme të GJKKO-së, me një fond total prej rreth 72 milion lekësh. Financimi përfshin rikonstruksionin e katër sallave të gjykimit, ambienteve të përbashkëta, si edhe investime për sigurinë e infrastrukturën e institucionit.
Në kuadër të këtij projekti janë kryer edhe pagesa specifike për rikonstruksionin e zyrave të gjyqtarëve e kryesekretarisë, si edhe hartimin e projektit për rikonstruksionin e ambienteve të përbashkëta në katet 0, 1, 2 dhe 3, me vlerë 27.2 milion lekë, si edhe për blerjen dhe instalimin e disa pajisjeve për sigurinë e përmirësimin e infrastrukturës së ndërtesës, me vlerë 5 milion lekë.
Në raportin vjetor të institucionit, GJKKO-ja thekson se mbështetja financiare e ofruar gjatë vitit 2025 ka qenë “thelbësore për përmirësimin e kushteve të punës në gjykatë dhe për krijimin e ambienteve më të përshtatshme e më dinjitoze”.
Sipas gjykatës, kjo mbështetje ka ndihmuar drejtpërdrejt në krijimin e kushteve bashkëkohore të punës dhe sigurisë për një institucion ku trajtohen çështje me rëndësi të veçantë, në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.