Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë reagoi lidhur me aksidentin në galerinë Nr.1240, Zona e Re Batër, Qarku Dibër që shfrytëzohet nga shoqëria “Xhireton” shpk.
Nga të dhënat paraprake të inspektimit, rezulton se gjatë saldimit në nëntokë të një vagoni mineralesh u çlirua gaz nga gjeneratori i përdorur dhe për pasojë, një mekanik 45-vjeçar humbi ndjenjat. Pranë tij ka qenë një punonjës tjetër, i cili gjithashtu pati shqetësime. Prezent në vendin e ngjarjes, në një distancë më të largët gjendeshin tre punonjës, që iu shkuan në ndihmë kolegëve, duke e nxjerrë jashtë galerisë personin që humbi ndjenjat. Ky i fundit u dërgua me helikopter në drejtim të Tiranës, për të marrë ndihmë mjekësore. Punonjësi tjetër u transportua në spitalin e Bulqizës, ku ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Ministria e Energjisë saktëson se “në galeri nuk pati shembje dhe as minatorë të bllokuar”.
Më herët gjatw ditës i pari reagim erdhi nga Policia.
Njoftimi i Policisë Dibër:
Më datë 11.05.2021, rreth orës 12:30, në një subjekt minerar në zonën e Martaneshit, shtetasi Sh. E., rreth 50 vjeç, duke salduar brenda në galeri me gjenerator, paraprakisht dyshohet se është asfiksuar si pasojë e gazit të çliruar nga gjeneratori. Në ndihmë të tij shkuan dy punëtorë të tjerë, shtetasit A.J., dhe M. H., të cilët janë asfiksuar e shfaqën probleme shëndetësore. Shtetasit e lartpërmendur janë nxjerrë nga galeria dhe u transportuan për ndihmë mjekësore në spital. Grupi hetimor ndodhet në vendin e ngjarjes dhe vijon hetimi për zbardhjen e plotë të shkaqeve!
Në një reagim për mediat, Kryetari i Bashkisë së Bulqizës, Lefter Alla deklaroi se çlirimi i gazrave në minierë nuk ka të bëjë me kushtet e punës.