Bota Botë e Çuditshme

Shqetësuese, dhjetëra hipopotamë të ngordhur lundrojnë në lum!

Shpërthimi i antraksit ka vrarë të paktën 50 hipopotamëve dhe kafshë të tjera në Parkun Kombëtar Virunga, në lindje të Kongos, duke shkaktuar shqetësim të madh mes autoriteteve dhe organizatave të mbrojtjes së natyrës. Kafshët janë parë duke notuar të ngordhura në lumin Ishasha, që derdhet në Liqenin Eduard, një prej liqeneve më të mëdha të Afrikës. Drejtori i parkut, Emmanuel De Merode, konfirmoi se analizat laboratorike kanë zbuluar se shkaku i ngordhjeve është helmimi nga antraksi.

Pamjet tronditëse të shpërndara nga parku tregojnë trupat e hipopotamëve të shtrirë në anët e tyre, të mbërthyer në bimësi apo të bllokuar në bregun me baltë të lumit. Mbrojtësit e parkut vunë re situatën rreth pesë ditë më parë, ndërsa trupat e kafshëve nisën të shfaqeshin në ujërat që përshkojnë kufirin midis Kongos dhe Ugandës. Sipas ekspertëve, antraksi është një sëmundje serioze bakteriale që gjendet natyrshëm në tokë dhe mund të infektojë kafshët e egra.

Instituti Kongolez për Ruajtjen e Natyrës u ka bërë thirrje banorëve lokalë të shmangin kontaktin me kafshët dhe të ziejnë ujin përpara konsumit. Ekipet në terren po përpiqen të nxjerrin trupat e kafshëve nga uji dhe t’i varrosin me përdorimin e sodës kaustike, por përballen me vështirësi për shkak të mungesës së mjeteve dhe aksesit.

Trupat janë parë edhe në ujërat e Liqenit Eduard. Parku Virunga është një prej zonave më të pasura në biodiversitet në botë, me pyje të dendura, akullnaja dhe vullkane, por prej vitesh ndodhet nën kërcënimin e konflikteve të armatosura.