Aktualitet Sociale

Shqipëria mes 4 vendeve europiane me rënien më të lartë të fëmijëve!

Shqipëria u rendit në vendin e katërt në Europë, pas Estonisë, Finlandës  dhe Italisë për rënien e madhe të numrit të fëmijëve 0-5 vjeç, sipas një raporti të fundit të Bashkimit Europian për ecurinë e arsimit në Europë. Në këto vende, numri i fëmijëve u ul me mbi 20% ndërmjet viteve 2013-2023. Referuar BE-së, kjo tendencë alarmante shtrihet në shumë vende të tjera. Europa po plaket. Tani njerëzit po jetojnë më gjatë se kurrë më parë, por njëkohësisht kanë lindur më pak fëmijë.

Më 1 janar 2023, jetonin 25 milion fëmijë nën 6 vjeç në BE ose 2 milion më pak se një dekadë më parë. Për më tepër, parashikimi i popullsisë tregon se prirja pritet të vazhdojë me 1 milion fëmijë më pak deri në vitin 2030.

Ndërkohë që numri i fëmijëve është në rënie, popullsia e përgjithshme në BE-27 ka qenë në rritje. Numri në rënie i fëmijëve në shoqëri mund të sjellë më pak vëmendje për nevojat e fëmijëve ose, anasjelltas, mund të nxisë politikat për rritjen e niveleve të lindjeve.

Bashkimi Europian analizon se rritja e përgjithshme e shpenzimeve mbi arsimin parashkollor si përqindje e Produktit të Brendshëm Bruto (PBB) sugjeron se shumica e vendeve po shkojnë drejt së opsionit të dytë, nxitjen e lindjeve.

Në vitin 2023, kishte 8.1% fëmijë më pak se më 2013-ën, por në BE, mesatarja e shpenzimeve publike për fëmijët deri në 6 vjeç u rrit nga 0,67% e PBB -së më 2014-ën, në 0,71% më 2021-shin.

Gjatë viteve të fundit, rritja më e lartë e financimit të nevojave të fëmijëve është vërejtur në Gjermani, Estoni, Letoni, Lituani, Zvicër dhe Islandë. Por, Suedia dhe Islanda shquhen për investime shumë  më të larta ndaj fëmijëve duke tejkaluar 1.6% të PBB-së së tyre. Në të kundërt, Shqipëria Irlanda, Greqia, Qiproja dhe Turqia shpenzuan më pak se 0.3% të PBB-së për fëmijët.

Sa i përket numrit të fëmijëve të vegjël, Italia dhe Spanja panë rënien më të madhe me mbi 700 mijë fëmijë më pak ndërmjet viteve 2013 e 2023. Numri i fëmijëve mbeti relativisht i qëndrueshëm gjatë dekadës së fundit në Danimarkë, Qipro, Hungari, Sllovaki e Suedi.

Në disa vende, ka pasur rritje të konsiderueshme. Në Gjermani, popullsia e fëmijëve brenda intervalit 0-5 vjeç është rritur me 18% në vitet 2013-2024. Për më tepër, Luksemburgu dhe Malta kanë shënuar rritje me përkatësisht 13.3 dhe 10.5. Në Austri dhe Zvicër, numri i fëmijëve të vegjël është rritur përkatësisht me 9.9 e 8.4 pikë për qind./Monitor