Në Gjykatën Themelore në Prishtinë sot nis gjykimi për rastin e vrasjes së Liridona Ademajt, në nëntor të vitit 2023. Vëllai i Liridonës, Leonard Ademaj, tha se familja beson në drejtësi dhe shpreson që gjykimi të jetë “efikas, profesional, pa gabime, pa vonesa dhe transparent”.
Më 15 janar të këtij viti, Prokuroria Themelore në Prishtinë njoftoi se ka ngritur aktakuzë ndaj katër personave për vrasjen e 30-vjeçares Ademaj, e cila u ekzekutua me armë zjarri më 29 nëntor 2023, në rrugën “Dalip Alshiqi” në Prishtinë. Fillimisht, rasti u raportua si grabitje me pasojë vrasjen, por dy ditë më vonë, autoritetet arrestuan dy persona, mes tyre bashkëshortin e Liridonës, Naim Murseli.
Tre të akuzuarit e tjerë janë Kushtrim Kokalla, Granit Plava dhe një person i katërt, emri i të cilit nuk është përmendur nga prokurorët kur njoftuan për ngritjen e aktakuzës.
Ditë më parë, prokurorja e rastit, Javorka Përlinçeviç, tha se gjatë kohës që çifti jetonte në Suedi me dy fëmijët e tyre kishin “marrëdhënie martesore të trazuar”, çka çoi në probleme me pronat.
Arsyet e tjera që kishte Naimi për të planifikuar dhe kryer këtë vrasje mund t’i mësoni në gjykatë kur të fillojë seanca kryesore.
Prokurorja deklaroi se bashkëpunuan me autoritetet suedeze, pasi Prokuroria në Prishtinë iu kishte kërkuar të dhëna rreth jetës së çiftit dhe marrëdhënies së tyre martesore.
Vetëm atëherë arritëm të krijojmë një pamje të plotë të jetës së tyre dhe të gjejmë motivin që e shtyu Naim Murselin të marrë vendimin për largimin e Liridonës, për të mos thënë likuidimin e saj, sepse mënyra e kryerjes së veprës tregon qartë një akt të tillë si likuidim.
Ndërkaq, kryeprokurori i Prishtinës, Zejnullah Gashi, tha se vrasja e kryer nga “anëtari i familjes” u krye në “mënyrë dinake” dhe shtoi se pret dënim kapital nga gjykata. Sipas Prokurorisë, Naim Murseli kishte “planifikuar gjithçka”. Kokalla dhe Plava, ishin “ekzekutorët e drejtpërdrejtë” të Liridonës. I akuzuari i katërt, sipas Prokurorisë është përfshirë në mënyrë të tërthortë, si personi që shiti armën e vrasjes e po ndiqet penalisht në gjendje të lirë.
Murseli, Kokalla dhe Plava gjenden në paraburgim. Familja e Liridonës kishte kërkuar zhvarrosjen e trupit të saj, në mënyrë që të varroset vranë varrezave të prindërve. Aktivistët për të drejtat e grave kanë kërkuar që Liridona të mos identifikohet më me mbiemrin e bashkëshortit, por me të familjes Ademaj. Zemërim të madh në publik shkaktoi edhe fakti që burri i saj kishte qenë pjesë e ceremonisë së varrimit të Liridonës.