Nga Prishtina, eurokomisionerja për Zgjerimin, Marta Kos, i bëri thirrje spektrit politik në Kosovë të gjejë gjuhën e përbashkët për t’i dhënë fund ngërçit të gjatë institucional e të formojë institucione të qëndrueshme, në mënyrë që vendi të ecë përpara drejt bllokut evropian.
Duke folur në një konferencë për media në krah të kryeministrit Kurti, Kos tha se “nuk ka siguri në Evropë pa Kosovën”. Sipas zyrtares europiane, Kosova që ende nuk e ka statusit e vendit kandidat për t’u anëtarësuar në bllok, duhet të ketë sa më parë institucione të qëndrueshme e funksionale.
Thirrja ime e qartë në këtë vizitë është për të gjithë aktorët politikë, për të gjetur një mënyrë, për të kthyer stabilitetin institucional.
Vizita po zhvillohet në një kohë kur vendi ka institucione në detyrë pasi është në prag të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, të caktuara për 7 qershor.
Këto janë zgjedhjet e treta të njëpasnjëshme pas atyre në shkurt e dhjetor 2025, të cilat kanë gadalësuar reformat kyç, duke krijuar kosto të vazhdueshme financiare për buxhetin e shtetit.
Kos tha se shumë reforma kanë ngecur për shkak të përsëritjes së zgjedhjeve dhe Kosova duhet ta zërë hapin pas një viti të humbur më 2025-ën.
Është e rëndësishme që pasi të bëhet Kuvendi i ri, liderët politikë në Kosovë të bashkohen dhe t’i themelojnë të gjitha institucionet, përfshirë zgjedhjen e presidentit të ri përmes kompromisit dhe t’i japin fund këtij ngërçi të gjatë institucional.
Kosova ka një perspektivë të madhe evropiane. Dhe për mua personalisht, unë jam e etur për ta rritur intensitetin e punës me Kosovën pasi të jenë formuar institucionet e reja, theksoi Kos.
Kryeministri Albin Kurti tha se në takimin me Kosin, ngriti çështjen e statusit të vendit kandidat për Kosovën dhe të hapjes së negociatave me bllokun.
Janë bërë mbi 40 muaj që kur kemi aplikuar dhe momenti i ripërtërirë i zgjerimit të Bashkimit Evropian duhet të reflektojë me avancimin e merituar të Kosovës. Mbështetja publike për Bashkimin Evropian për anëtarësim në BE qëndron vazhdimisht rreth 90% në vendin tonë dhe është ndër më të lartat nga të gjitha vendet kandidate.