Bota

Shuhet në moshën 55-vjeçare stilisti i famshëm i flokëve!

Ka ndërruar jetë në moshën 55-vjeçare Kim Vo, një nga hairstylistët më të njohur të botës së showbiz-it amerikan, i cili për dekada ishte emër referencë për yjet e Hollywood-it. Lajmi i trishtë u bë publik përmes një njoftimi emocional të partnerit të tij, Adeel Khan, i shpërndarë në rrjetet sociale dhe në kanalet zyrtare të Kim Vo Salon.

Kim Vo ishte diagnostikuar me kancer kolorektal në vitin 2018. Sipas familjarëve, ai luftoi me vendosmëri për vite me radhë, duke kaluar trajtime intensive dhe duke tejkaluar pritshmëritë mjekësore. Partneri i tij theksoi se Vo fitoi shumë beteja gjatë rrugës, falë përkushtimit të stafit mjekësor në Angeles Clinic dhe Cedars-Sinai.

Në mesazhin e ndarjes nga jeta, Adeel Khan e përshkroi Kim Vo si bashkëshort, mik dhe partner jete e biznesi, duke theksuar se ai jetoi një jetë të mbushur me dashuri, dritë dhe qëllim. Ai shtoi se Vo dëshironte që trashëgimia e tij të kujtohej jo me trishtim, por me gëzim, pozitivitet dhe vëmendje ndaj shëndetit.

Kim Vo ishte një emër i dashur dhe shumë i respektuar në industrinë e bukurisë, duke punuar me figura të njohura si Pamela Anderson, Kate Hudson, Britney Spears dhe Gwyneth Paltrow. Stili i tij unik dhe qasja njerëzore e bënë një figurë të veçantë jo vetëm profesionalisht, por edhe personalisht për klientët dhe kolegët.