Votimi nga mbi gjysma e popullsisë së botës në zgjedhjet e vitit 2024 la shumë demokraci liberale përballë krizave të besimit, fragmentimit politik e polarizimit të shtuar. Disa analistë i frikësohen erës së re në velat e autoritarizmit. Ngjarja kryesore e vitit të madh zgjedhor ishin presidencialet e nëntorit në Shtetet e Bashkuara, ku Donald Trump doli fitimtar.
Shumë analiza u fokusuan te faktorët ekonomikë për refuzimin e figurave në pushtet të Partisë Demokrate nga ana e publikut. Kërcënimet e vazhdueshme të Trump-it për minimin e sundimit të ligjit nuk duket se dekurajuan shumë votuesit.
Republikani u zotua të vërë nën kontroll një sistem drejtësie që atë e ngarkoi me disa hetime e gjykime, si dhe për ndëshkim të mediave armiqësore e se do të emërojë punonjës mbi bazën e besnikërisë së tyre ideologjike.
Nëse Trump i bën të gjitha ato që ka premtuar, Shtetet e Bashkuara do të përjetojnë sulmin më të ashpër ndaj ndarjes së pushteteve dhe lirive qytetare në historinë e tyre paqësore, shkroi profesori i Shkencave Politike, Larry Diamond, në revistën amerikane Foreign Affairs.
Polarizim dhe fragmentim
“Ndodhemi në një moment të rrezikshëm, jo vetëm në SHBA, por në shumë vende të tjera”, tha Max Bergmann nga Qendra për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare (CSIS), në një prononcim për AFP-në.
Gjatë dy dekadave të fundit, modeli perëndimor i demokracisë, i instaluar nga viti 1945 dhe i përforcuar pas rënies së bllokut sovjetik, ka qenë në rrezik.
Organizata me bazë në SHBA, Freedom House, ka vënë në pah dhunën e shtuar dhe manipulimet e dyshuara apo të konfirmuara në shumë zgjedhje të mbajtura në botë. Në disa të ashtuquajtura sisteme “hibride”, udhëheqësit e fuqishëm në pushtet ruajtën postet e tyre, por u përballën me kundërshtime të reja, të vendosura e të organizuara.
Edhe në sisteme më konkurruese demokratike, si në Europë, po shohim politikë gjithnjë e më të polarizuar e më të fragmentuar.
Aleanca qeverisëse e Gjermanisë, ndërmjet socialdemokratëve, të gjelbërve e liberalëve, u prish në nëntor dhe nuk ka qartësi se si do të duket një qeveri e re pas zgjedhjeve të reja në shkurt. Edhe në Holandën fqinje, një koalicion i brishtë katërpalësh po përballet me luftën e brendshme, teksa përpiqet të mos fundoset, pas rënies së qeverisë së mëparshme më 2023-shin.
Franca ka përjetuar lëkundje të skenës politike, që kur Emmanuel Macron erdhi në pushtet si president më 2017-ën. Zgjedhjet e parakohshme të befasishme që shpalli në verë prodhuan një Parlament pothuajse të ndarë në mënyrë të barabartë mes të majtës, qendrës së djathtë dhe ekstremit të djathtë.
Me palët që thuajse nuk pajtohen për asnjë temë, përpjekjet për reforma janë paralizuar. Kriza u thellua edhe më shumë, kur në dhjetor, Parlamenti francez rrëzoi qeverinë e Michel Barnier-it, në vend të të cilit u emërua François Bayrou.
Ndalja e ndryshimeve
“Gjendja e paqëndrueshme e demokracive perëndimore mund të shpjegohet nga “një krizë besimi në partitë politike dhe mediat, e paprecedentë që nga viti 1945”, u shpreh Bertrand Badie, ekspert i marrëdhënieve ndërkombëtare në universitetin francez Sciences Po.
Votuesit reaguan ndaj një oferte të varfër të politikës. Çfarë ofruan Macron në Francë apo Kamala Harris në SHBA përtej premtimit për të parandaluar marrjen e pushtetit nga rivalët e tyre, Trump apo e djathta ekstreme, e udhëhequr nga Marine Le Pen? Kjo krijon një problem të madh me legjitimitetin.
Refuzimi i partive tradicionale dhe i udhëheqësve në pushtet ka kontribuar në rritjen e partive populiste dhe atyre të ekstremit të djathtë. Ato shënuan suksese të mëdha në zgjedhjet europiane të qershorit, siç treguan zgjedhjet në Gjermani, Francë, Holandë, si dhe në Itali e në Hungari para vitit 2024.
Shumë votues po votojnë për politikanë që premtojnë masat më të ashpra ndaj çështjeve që përfshijnë emigracionin e inflacionin. Edhe personaliteti është element kyç, teksa Viktor Orban i Hungarisë dhe Trump kanë arritur të paraqesin autoritet të paepur.
Bota dhe shoqëritë po kalojnë nëpër një transformim të madh. Globalizimi liberal nuk ka sjellë përgjigje për miliona njerëz, të shqetësuar për ndryshime edhe radikale në mënyrën si ne jetojmë pranë të tjerëve, udhëtojmë apo prodhojmë, tha Gilles Gressani, shef i revistës gjeopolitike franceze Le Grand Continent.
Për pasojë, ka një kërkesë gjithnjë e më të madhe për t’i ndalur ndryshimet dhe për shkak se kjo duket gjithnjë e më pa gjasa, ka një dëshirë për t’u tërhequr nga çështjet përtej kufijve shtetërorë./Radio Evropa e Lirë