Shpesh dëgjojmë që për të pasur sukses, duhet të vendosim objektiva të mëdhenj dhe ambiciozë. Por një qasje më e re në psikologjinë e sjelljes po fiton terren: “Tiny Goals”, ose objektivat mikroskopikë, të vegjël, që duken pothuajse qesharakë, por që kanë një fuqi transformuese afatgjatë.
Një shembull tipik:
Në vend që të vendosësh “Do të lexoj 30 libra këtë vit”, objektivi bëhet “Do të lexoj 1 faqe çdo ditë”. Apo në vend të “Do të ushtrohem çdo mëngjes”, thjesht “Do të vesh atlete çdo ditë në orën 8:00”. Këto janë veprime që kërkojnë minimalisht përpjekje, por aktivizojnë një ndryshim psikologjik të menjëhershëm: truri e regjistron fitoren dhe ndien motivim për më shumë.
Një studim nga Stanford Behavior Design Lab, i drejtuar nga BJ Fogg, zbuloi se:
Zakonet më të qëndrueshme lindin nga përpjekjet më të vogla, të cilat kthehen në automatizma. Kjo për shkak se ndryshimi i madh nuk ndodh nga një vullnet heroik, por nga përforcimi i përditshëm i vetëbesimit përmes veprimeve të arritshme.
Kjo qasje është bërë veçanërisht e popullarizuar edhe në rrjete sociale, me njerëz që ndajnë video si:
– Unë fillova me 2 minuta meditim dhe tani praktikoj çdo ditë.
– Vetëm duke bërë shtratin çdo mëngjes, nisa të organizoj gjithë ditën.
Sekreti qëndron tek ndjesia e suksesit të menjëhershëm, që aktivizon dopaminën, hormoni i kënaqësisë, dhe krijon varësi pozitive ndaj progresit. Në vend që të vlerësojmë suksesin nga madhësia e qëllimit, “Tiny Goals” na mësojnë të vlerësojmë konsistencën, jo intensitetin. Sepse çdo ndryshim i qëndrueshëm fillon nga një hap i vogël. Dhe kur këta hapa bëhen pjesë e përditshmërisë, shndërrohen në rrugë të reja që e çojnë jetën në një drejtim më të mirë, pa nevojën për revolucion të menjëhershëm.