Pilotët dhe ekuipazhi në linjat ajrore evropiane po përballen me presione të shtuara për të punuar orë të gjata dhe për të fshehur lodhjen, duke vënë në rrezik sigurinë e fluturimeve, sipas “The Financial Times”.
Një studim i Universitetit të Ghent në Belgjikë, që përfshiu 6 mijë e 900 punonjës, zbulon se politikat e kursimit dhe ndjekjes së fitimeve kanë “dobësuar sistematikisht” sigurinë në industrinë ajrore.
Sipas raportit, pandemia e COVID-19/ës përshpejtoi përkeqësimin e kushteve të punës. Një brez pilotësh me përvojë u largua nga sektori dhe u zëvendësua me punonjës më të rinj, më të lirë e me kontrata të pasigurta, që ulin aftësinë për të mbrojtur standardet e sigurisë. Më shumë se gjysma e të anketuarve thanë se nuk ndihen të lirë të kundërshtojnë vendime të drejtuesve kur kanë shqetësime për sigurinë.
Ekuipazhet e kabinës raportuan edhe se ndihen të detyruar të shesin produkte si parfume apo alkool gjatë fluturimit, duke krijuar konflikt mes detyrimeve tregtare e rolit të tyre për të mbajtur pasagjerët të sigurt. Studiuesit paralajmërojnë se ky kalim “nga siguria te shitjet” po dëmton mirëqenien, integritetin profesional dhe standardet në fluturim.
Rritja e presionit nga kompanitë me kosto të ulët dhe rikthimi i trafikut ajror pas pandemisë ka sjellë orare më të gjata dhe më pak pushim për punonjësit. 42% e tyre thanë se drejtuesit vendosin orarin mbi sigurinë, ndërsa shumë pilotë e ekuipazh ndihen të frikësuar të deklarohen “të papërshtatshëm për fluturim” edhe kur janë të sëmurë apo të rraskapitur.
Studimi zbuloi po ashtu, se 68% e punonjësve kanë probleme me shëndetin mendor dhe 78% ndihen “të dehumanizuar”. Punësimet afatshkurtra ose përmes agjencive janë veçanërisht problematike, me punonjësit në Evropën Lindore që raportojnë kushtet më të vështira dhe pasiguri më të madhe.
Autorët e raportit theksojnë se pa përmirësime në kontrata dhe rregullore, Evropa rrezikon të humbasë “avantazhin e saj të sigurisë”. Ata kërkojnë që mirëqenia e punonjësve të lidhet drejtpërdrejt me standardet e sigurisë, përndryshe industria ajrore do të bëhet më e brishtë ndaj gabimeve dhe aksidenteve.
Gara për të ulur standardet në kontrata prek tashmë çdo pilot. Kur pilotët janë nën presion, edhe pasagjerët janë në rrezik, paralajmëroi Ignacio Plaza, sekretar i Përgjithshëm i Shoqatës Evropiane të Pilotëve, duke kërkuar hetim urgjent për abuzimet në sektor.