Digat bujqësore në vend pritet të kalojnë në studime fisibiliteti për të parë sigurinë e tyre, vlerësimin hidrologjik e strukturor, si dhe marrjen e masave në rast nevoje. Banka Botërore publikoi një dokument mbi një projekt që synon të mbështesë qeverinë shqiptare, konkretisht Ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural në rritjen e sigurisë së mbi 400 digave. Vendimi për financimin e 1.6 milion dollarëve pritet që të kalojë në Bordin e Bankës, më 31 janar 2025.
Projekti “Optimizimi i sigurisë së digave dhe qëndrueshmëria e sistemeve të ujitjes në kontekstin e ndryshimeve klimatike” synon që të mbështesë qeverinë në kryerjen e studimeve paraprake të fizibilitetit.
Në përgjithësi, qëllimi është zbulimi dhe adresimi i rrezikut klimatik për menaxhimin e ujit e bujqësinë, si dhe infrastrukturën e rrënuar të ujit me fokus në rritjen e kapacitetit të ruajtjes së ujit të rezervuarëve për përshtatjen ndaj një klime në ndryshim.
Konkretisht, projekti synon të përgatisë bazat drejt rritjes së sigurisë dhe disponueshmërisë së ujit të digave për të ujitur një sipërfaqe prej 180 mijë hektarësh tokë bujqësore, kryesisht e vendosur në pjesën perëndimore-bregdetare të Shqipërisë nga Shkodra në Vlorë, duke bërë të mundur rritjen e rendimentit e të ardhurave për 200 mijë ferma.
Rehabilitimi, modernizimi i digave dhe përmirësimi i sigurisë së tyre do të duhet të përfshijë masat strukturore e jo-strukturore, vlerësimin hidrologjik, forcimin strukturor të digave dhe përmirësimin e ruajtjes së ujit në rezervuarë, menaxhimin e sedimenteve, modernizimin e kontrollit e monitorimit, si dhe të tjera masa që do të përmirësonin sigurinë dhe funksionimin e digave.
Komiteti i Digave të Mëdha ka ngritur shqetësimin e monitorimit dhe vlerësimit të digave bujqësore për të parë sigurinë e tyre, duke qenë se prej vitesh, nuk ka të dhëna mbi gjendjen konkrete. Mosvlerësimi në kohë i rreziqeve mund të ketë pasoja të mëdha për komunitetet ku ndodhen këto diga si në rastin e çarjes së një dige, si pak ditë më parë në Bunec, edhe pse nuk ishte bujqësore, por e një HEC-i për prodhim energjie, duke përmbytur disa biznese./Monitor