Erling Haland është rikuperuar nga dëmtimi në gju që pësoi në fund të ndeshjes së Mançester Sitit kundër Njukasëllit, përpara transfertës së sotme me Realin e Madridit e vlefshme për “play-off”-in e Champions-it.
Sulmuesi u pa duke shtrënguar gjurin në sekondat e fundit të ndeshjes së të shtunës dhe u zëvendësua pasi iu dha ndihma e parë në fushë. Por ai u largua pa ndihmën e askujt nga fusha dhe doli duke buzëqeshur nga tuneli pas ndeshjes, duke lënë të kuptohej se nuk kishte diçka serioze. Dhe gjithçka u konfirmua, sepse norvegjezi u stërvit normalisht me grupin një ditë përpara ndeshjes kundër Realit në “Bernabeu” dhe do të jetë i gatshëm të udhëheqë sulmin e “Qyetarëve” në misionin për të përmbysur humbjen 3- 2 të një jave më parë në “Etihad”.
LEXO EDHE: Kartoni i kuq tërboi Realin, Bellingam pezullohet më shumë se 1 ndeshje në La Liga!
Haland prishi mallkimin duke i shënuar më në fund “galaktikëve”, të cilët ishin një prej ekipeve që numri 9 i Sitit nuk i kishte shënuar ende në karrierë. Ai shënoi dy gola në “Etihad”. Por lajmet e mira për Guardiolën vijuan ndërsa trajneri katalanas mirëpriti edhe Ruben Diazin, Natan Aken dhe Xhek Grilishin në stërvitje, ndërsa të tre munguan në fitoren 4-0 përballë Njukasëllit.
Diaz nuk ishte 100% gati për ndeshjen e fundjavës, ndërsa Ake ishte i sëmurë dhe Grilish vuante ende nga goditja që mori në ndeshjen e parë kundër Realit në “Etihad”. Në fakt, Diaz dhe Ake u lanë pushim nga Guardiola të shtunën, duke menduar më shumë për takimin e sotëm, sesa ishin me të vërtetë të padisponueshëm. Kampionët e Anglisë kanë një detyrë të vështirë sonte, të përmbysin disavantazhin e ndeshjes së parë.
Bilanci i Sitit në ndeshjet në transfertë në Spanjë është 4 fitore, 4 barazime dhe 8 humbje. Anglezët i kanë fituar 20 nga 38 transfertat e tyre të fundit në Europë (10 barazime, 8 humbje), përfshirë suksesin 4-0 në fushën e Slovan Bratislavës në javën e dytë këtë sezon dhe janë të pamposhtur në 12 transfertat e fundit (6 fitore, 6 barazime), që prej humbjes në “Bernabeu” në vitin 2022.