Partizani kreu dje rreth orës 10:30 stërvitjen e radhës në kuadër të derbit të së premtes ndaj Tiranës. Në klubin e kuq nuk është situata më e mirë e mundshme, por si gjithnjë para këtyre ndeshjeve, qetësia mbizotëron në ambientin përreth, por edhe brenda skuadrës. Pas humbjes me Dinamon ka pllakosur një situatë aspak e mirë, plot mërzi e zhgënjim. Kjo është pasuar nga një mbledhje me trajnerin Orges Shehi, i cili nën tonin e tij normal të të folurit nuk i ka kursyer kritikat ndaj ekipit. Trajneri ka kërkuar më së shumti uljen e egoizmit në lojë dhe bashkimin e ekipit për të dalë nga situata jo komode, ku ndodhet që kur skuadrën e drejtonte drejtori Abilaliaj. Pas këtij momenti reflektimi nga ana e të gjithëve, gjithçka është lënë pas shpine dhe ekipi vijon normalisht punën, nën një heshtje, që është karakteristike te të kuqtë. Për arsye që vetë klubi i di më mirë, stërvitjet do të jenë të gjitha me dyer të mbyllura dhe gjatë javës nuk do të lejohet asnjë prononcim i lojtarëve për mediat.
DËMTIMET – Dje në stërvitje kanë qenë të gjithë të pranishëm të gjithë lojtarët, përfshirë edhe Albers Kekon. Ky i fundit vijon të pengohet nga një plagë në këmbë dhe megjithëse është shumë pranë rikthimit në fushë, derbi mund të quhet i humbur për të. Sulmuesi nuk stërvitet prej shumë ditësh dhe është e pamundur që të arrijë të jetë fizikisht gati për këtë betejë. Sakaq, lajme të mira ka për Maget Gueje. Senegalezi nuk ka më dhimbje në shpatull dhe dje ka kryer seancë stërvitore. Rreziku i vetëm në këtë rast është nëse do të arrijë të jetë gati fizikisht, pasi nuk stërvitet prej disa ditësh. Shanset janë që të jetë gati, edhe pse me pak sforcim. Pjesa tjetër e skuadrës, përfshirë edhe Arçejnxh Bintsukën, janë gati dhe kjo është ndër herët e pakta që Shehi ka kaq shumë lojtarë në dispozicion.