Aktualitet

Situata në Kushtetuese, deputetët gjermanë takim me Kryetarin e Gjykatës Dedja

Situata në Kushtetuese ishte në fokus të një takimi që deputetë gjermanë zhvilluan me kryetarin e Gjykatës, Bashkim Dedja, në mjediset e institucionit që drejton. Kjo gjykatë përballet me mungesa gjyqtarësh. Vetting-u nuk rikonfirmoi në detyrë Fatos Lulon e Altina Xhoxhajn, ndërsa Vladimir Kristo e Besnik Imeraj kanë dhënë dorëheqje, respektivisht në gusht të 2017-ës e në janar të këtij viti. Kushtetuesja përbëhet nga 9 anëtarë dhe që një vendim të jetë i vlefshëm, kërkon 5 vota. Por, me shkarkimin e Xhoxhajt nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, një ditë më parë, tashmë mbeten vetëm 4 dhe ata janë Bashkim Dedja, Vitore Tusha, Gani Dizdari e Fatmir Hoxha. Ky i fundit përballet pas tre ditësh me Komisionin e Kualifikimit.