Aktualitet

Akuza për trafik ndërkombëtar droge, Apeli i Posaçëm i zbut masën e sigurisë!

Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ndryshoi masën e sigurisë për Erind Agalliun alias Teneqexhiu, duke e zëvendësuar “Arrestin në burg” me “Arrest në shtëpi”.

Vendimi është marrë ditën e sotme nga trupi gjykues monokratik i përbërë nga gjyqtari Engert Pëllumbi, pas shqyrtimit të ankimit të Agalliut kundër vendimit nr. 89, datë 29.05.2026, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë.

Apeli urdhëroi që Agalliu të mos largohet nga banesa e tij.

Agalliu është një prej 11 personave të hetuar nga SPAK-u në kuadër të një operacioni ndërkombëtar kundër trafikut të lëndëve narkotike. Sipas hetimeve, grupet kriminale ku dyshohet se bënte pjesë akuzohen për trafikimin e rreth 400 kilogramëve amfetaminë, 500 kilogramëve kanabis dhe sasive të kokainës.

SPAK-u bëri të ditur se bëhet fjalë për 4 grupe kriminale, të krijuara, organizuara dhe drejtuara nga shtetas shqiptarë, të dyshuara se trafikonin lëndë narkotike nga Spanja e Holanda drejt Finlandës dhe vendeve të Skandinavisë.

Sipas Prokurorisë së Posaçme, hetimi zgjati rreth 18 muaj dhe u zhvillua në bashkëpunim me autoritetet finlandeze. Gjatë hetimeve u përdorën metoda speciale, përfshirë përgjime të komunikimeve telefonike, regjistrime të fshehta fotografike, filmike dhe video, si dhe shkëmbim të informacioneve e provave në kohë reale me Byronë Kombëtare të Hetimit të Finlandës.

Pas operacionit të zhvilluar më 3 qershor, ndaj 11 personave janë vendosur masa sigurie, ndërsa për 9 prej tyre janë ekzekutuar. Disa nga personat e dyshuar për përfshirje në këto grupe janë arrestuar e dënuar më herët edhe në Finlandë.