Regjisori dhe aktori amerikan Tyler Perry është përballur me një tjetër padi të re për sulm seksual. Padia është ngritur nga aktori Mario Rodriguez, i cili ka qenë pjesë e filmit Boo! A Madea Halloween dhe nga Perry kërkon dëmshpërblimin prej 77 milionë dollarësh. Sipas pretendimeve të Rodriguezit, Tyler Perry e ka ngacmuar dhe sulmuar seksualisht për vite me radhë, duke shfrytëzuar pozitën dhe ndikimin e tij në industrinë e filmit. Kjo është padia e dytë ndaj Perry-t brenda vetëm pak muajsh, ku ai akuzohet se ka përdorur pushtetin e tij në Hollywood për të përfituar nga kolegë më të rinj.
Në qershor të këtij viti, edhe aktori Derek Dixon kishte ngritur një padi për ngacmim seksual ndaj Tyler Perry-t, duke e akuzuar se e kishte prekur dhe shqetësuar gjatë punës në serialet The Oval dhe Ruthless. Kjo padi fillimisht ishte dorëzuar në Gjykatën e Lartë të Los Angelesit, por më pas raportohet se është transferuar në një gjykatë federale në shtetin e Georgias, aty ku ndodhet edhe studioja e Perry-t.
Padia e Mario Rodriguezit është dorëzuar në Kaliforni dhe në të thuhet se Perry e ka ekspozuar atë ndaj sulmeve të përsëritura seksuale për disa vite me radhë. Sipas dokumenteve gjyqësore, një nga incidentet më të rënda dyshohet se ka ndodhur në shtëpinë e Perry-t në Los Angeles, ku Rodriguez pretendon se ka përjetuar sulm dhe abuzim seksual. Përveç Tyler Perry-t, Rodriguez ka paditur edhe studion Lionsgate, distributoren e filmit të vitit 2016, duke pretenduar se kompania ka mbyllur sytë përballë sjelljeve të dyshuara të regjisorit. Avokati i Tyler Perry-t, në një deklaratë publike, ka mohuar kategorikisht të gjitha akuzat.