Sport

“Skënderbeun duhet patjetër ta mbajmë në Superligë”, trajneri Gjoka para sfidës së Kupës: Kampionati është objektiv kryesor

Skënderbeu do të përballet nesër me Dinamon në orën 16:30. Ky takim do të jetë në kuadër të çerekfinales së Kupës së Shqipërisë, teksa kujtojmë se përballja e parë ka përfunduar me fitoren e bardhekuqve 0-2.

Para ndeshjes ka folur trajneri i korçarëve, Ernest Gjoka:

“Erdhi një fitore në atë momente që skuadrës i duhej dhe ndaj një skuadre që është ndër më të mira te futbollit shqiptar. Vazhdoj të besoj dhe këmbëngul që skuadra e ka cilësinë, pavarësisht se ardhjet e reja duan kohën e tyre të përshtaten, por gradualisht duhet të marrim maksimumin. Kjo fitore na jep njëlloj oksigjeni ndryshe dhe na përgatit për ndeshjet e tjera që janë akoma më të vështira.

Ndeshjet e Kupës janë komplet ndryshe nga kampionati. Dhe pse rezultati në favor tonë 0-2, mos harroni kemi përballë një skuadër që di të interpretojë ndeshjen mirë. Ka një filozofi loje të ndërtuar me kujdes nga trajneri i tyre dhe është skuadër që duhet vlerësuar maksimalisht. Kemi objektivat tonë dhe duam me patjetër ta kalojmë këtë tur, do bëjmë maksimumin.

LEXO EDHE: Abilaliaj për herë të tretë si trajner i “demave”, publikohen formacionet zyrtare të Partizani-Laçi!
Kampionati është objektivi kryesor, Skënderbeu duhet të dalë nga kjo vorbull e keqe, për të qenë pjesë e Superligës në vitin tjetër. Në këto kushte që jemi, pse mos të vazhdojmë dhe të kërkojmë maksimumin e ndeshjes tjetër. Të kalojmë këtë ndeshje dhe me dëshirën e futbollistëve dhe pastaj gradualisht shikojmë si do jetë situata.

Nuk mendoj se lojtarët nuk kanë dëshirë për maksimumin. E them dhe e përsëris, jo për justifikuar futbollistët as veten dhe stafin, por është ngërç shumë i madh. Ta gjesh një skuadër në vend të fundit, është ngërç shumë i madh për ta nxjerrë nga ky handikap.

Nuk është se kemi pasur vazhdimësi në rezultat. Dhe ardhjet e reja deri në fund të janarit, nuk janë përshtatur akoma 100% me skuadrën sepse nuk mundet. Ky është proces. Ama shikoj seriozitet, dëshirë dhe kuptoj se Skënderbeun duhet patjetër ta mbajmë në Superligë. Problemet e tjera gjatë lojës, presioni, tensioni, janë normale.

Ne kujtojmë se janë burra, por akoma janë fëmijë, janë me mosha të re. Akoma nuk e kuptojnë dhe nuk e ndjejnë peshën, ose e ndjejnë më shumë se duhet. E gjithë kjo është ajo që e them vazhdimisht, presion i madh psikologjik.

Që ta kuptosh duhet të jesh vetë në këtë botë dhe ta kuptosh se kur hyn dhe luan në ndeshje, edhe duhet patjetër 3 pikëshi, është gjë tjetër. Se është gjë tjetër kur luan komod, dhe truri që udhëheq gjithçka është më i qetë. Kur ti duhet me patjetër çdo ndeshje ta fitosh, kjo sjell ngarkesë shumë të madhe psikologjike”, u shpreh Gjoka.