Sport

Sonte “all-in” ndaj letonezëve, shpresat për Botërorin 2026!

Kombëtarja Shqiptare e Futbollit sonte luan ndaj Letonisë, duelin e vlefshëm për kualifikueset e Kupës së Botës 2026. Sfida starton në orën 20:45 në Air Albania e transmetohet ekskluzivisht në DigitAlb. Ekipi i drejtuar nga Sylvinho do të hyjë në fushë vetëm për 3 pikët për të mbajtur deri në fund “gjallë” shpresat për një vend në Botëror.

Për këtë skuadra do të jetë e gjitha “all-in” ndaj letonezëve, edhe si për të zbehur paraqitjen jo të mirë në miqësoren ndaj Gjibraltarit pak ditë më parë. Nuk do të jetë e lehtë për ekipin tonë, pasi në 6 ndeshjet përballë tyre nuk kanë arritur të triumfojnë. Por, kuqezinjtë mund të tentojnë të “thyejnë këtë tabu”. Nëse në përballjet direkte ekipi ynë nuk ia ka dalë të triumfojë ndaj letonezëve, statistikat e 5 ndeshjeve të fundit të Kombëtares japin “shpresë për një triumf”.

Kjo pasi kuqezinjtë kanë arritur të fitojnë 2 ndeshje, të barazojnë në 2 sfida të tjera dhe kanë vetëm 1 humbje. Kanë triumfuar ndaj Andorrës në kualifikuese, kanë barazuar me Letoninë e Serbinë, ndërsa janë mposhtur nga Anglia po në kualifikuese.

Ndërkohë, së fundmi triumfuan ndaj Andorrës në miqësore dhe Kombëtarja do të synojë një tjetër fitore në “Arenën Kombëtare”. Gjithsesi vlen të përmendet se gjendja fizike, por edhe sportive e lojtarëve në këtë periudhë të sezonit nuk është më e mira. Në seancë stërvitore, 3 lojtarë u panë të fashuar: Uzuni, i cili seancën e së shtunës e zhvilloi veçmas ekipit, Adrion Pajaziti e Arlind Ajeti.

Edhe në aspektin sportiv, ekipi nuk është në formën më të mirë. Në dy vitet e fundit, Armando Broja ka thuajse vetëm 90 minuta të luajtura, Bajrami gjithashtu me shumë pak minuta tek Rangers, që së fundmi e la jashtë listës së Europës. Jasir Asani ka ndryshuar skuadër dhe me pak aktivizime nën këmbë, ashtu si edhe Asllani i transferuar mes problematikave te Torino.

Këto janë sa për të përmendur disa nga problematikat që duhet të tejkalohen për mbrëmjen e sotme. Kemi një objektiv, apo një ëndërr që është kualifikimi për në Botëror dhe 3-pikëshi ndaj Letonisë është e vetmja mundësi kur sot në grup ndodhemi në vendin e tretë me Anglinë e arratisur në krye me 12 pikë në 4 ndeshje, Serbinë me 7 pikë pas 3 ndeshjesh, ndërkohë që ne me një ndeshje më tepër se ta, në 4 përballje kemi grumbulluar 5 pikë.