Celebrities

Sonte ceremonia e çmimeve “Oscar”, pa prezantues për të tretin vit!

Pak orë na ndajnë nga edicioni i 93-të i ceremonisë së shpërblimeve prestigjioze “Oscar”, i cili këtë vit do të zhvillohet ndryshe. Të nominuarit për çmimet Oscar të këtij viti janë njoftuar se nuk do të kenë mundësi të marrin pjesë në ceremoni përmes aplikacionit “Zoom”. Do të jenë të pranishëm online vetëm disa prej kandidatëve, në mënyrë që shfaqja të jetë më intime.

Organizatorët e kësaj ngjarjeje madhore të kinematografisë, po bëjnë përpjekje të vazhdueshme të sigurojnë emra të njohur të skenës për t’i ndarë shpërblimet e kategorive të ndryshme, gjatë ceremonisë së organizuar pjesërisht në formatin e rregullt. Mesa duket diçka do të jetë e përbashkët nga viti i kaluar dhe ndryshe nga tradita, nuk do të ketë prezantues. Transmetimi i ardhshëm televiziv i çmimeve “Oscar”, nuk do të ketë një prezantues të vetëm, pasi producentët kanë vendosur që personazhe të ndryshme të bëjnë prezantimet e çdo kategorie.

Ky do të jetë “Oscar”-i i tretë me radhë pa një prezantues, pasi në vitin 2019, komediani Kevin Hart u largua nga drejtimi pas akuzave për disa postime të vjetra në Twitter me përmbajtje homofobike. Çmimet e Akademisë do të transmetohen në “ABC” dhe gjithashtu mund të shikohen në aplikacionin “ABC”. Ekzistojnë edhe mundësi të tjera të transmetueshme, përfshirë kanalin “The Roku Chanel”, “YouTube TV” dhe “Hulu”.

Faqja e Akademisë në “Facebook” do të ofrojë intervista të drejtpërdrejta me fituesit e Oscar-ëve jashtë skenës, ndërsa burimi i Akademisë në Instagram do të përmbajë përmbajtje nga seancat ekskluzive të fotove dhe tapetin e kuq të Oscar-it. Vetëm të nominuarit, të ftuarit dhe prezantuesit do të jenë të pranishëm, duke kaluar nëpër raunde të shumta testimi dhe një periudhë të kërkuar karantine.

Të nominuarit dhe të ftuarit e tyre do të ulen në tavolina për dy brenda sallave së “Union Station”, të rrethuar nga një galeri fotografish të të nominuarve. Organizatorët kanë njoftuar se ngjarjet, “Oscar Nominees Luncheon” e cila tradicionalisht mbahet pak ditë para këtij show dhe “Governor’s Ball” që zë vend pas ceremonisë shpërblyese, janë anuluar për këtë vit.

Rikujtojmë, se së fundmi janë bërë disa parashikime se kush mund dhe kush duhet të fitojë. Por nëse ju ka shpëtuar një detaj rreth kësaj ceremonie, ne ju kujtojmë se të nominuarit do të marrin çantat legjendare të dhuratave përmes postës nëse nuk marrin pjesë personalisht.