Rajoni

Sorensen viziton Kosovën, për të parën herë si ndërmjetësues i dialogut Prishtinë-Beograd!

I dërguari i Bashkimit Europian për Dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen, sot viziton Kosovën, për herë të parë prej  marrjes së detyrës, në fillim të shkurtit. Fillimisht pritet nga presidentja Vjosa Osmani, për të vijuar takimet me kryeministrin Albin Kurti dhe kryenegociatorin Besnik Bislimi. As Presidenca e as Kryeministria nuk dhanë më shumë hollësi rreth takimeve.

Sorensen ende nuk ka ndërmjetësuar takim në Bruksel, por kohët e fundit ka punuar mbi mënyrat për ta çuar përpara dialogun, duke biseduar me zyrtarë nga të dyja vendet. Ai e mori detyrën më 1 shkurt, kur pasoi Mirosllav Lajçakun. Në bisedimet më të fundit në Bruksel nën ndërmjetësimin e Lajçakut, më 17 dhjetor, Kosova dhe Serbia ranë dakord për zbatimin e plotë të deklaratës së përbashkët mbi personat e zhdukur.

Muajin e kaluar, shefja e diplomacisë europiane, Kaja Kallas, tha se po dëgjonte kritika rreth formatit të deritashëm të dialogut Kosovë-Serbi. Kallas paralajmëroi se me Sorensenin, po shqyrtonte mundësinë për ta bërë funksional dialogun mes dy vendeve fqinje.

Kosova dhe Serbia dialogojnë nën ndërmjetësimin e Bashkimit Europian, që nga 2011-ta. Vitet e fundit, dialogu është zhvilluar në nivel të lartë, mes liderëve të dy vendeve e ndërmjet kryenegociatorëve. Gjatë mandatit gati 5-vjeçar të Lajçakut, në fillim të vitit 2023, Kosova dhe Serbia arritën Marrëveshjen për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve.

Ky akord, i cili nuk është nënshkruar, rezulton ligjërisht i detyrueshëm për palët, siç ka bërë të ditur blloku që ka akuzuar Kosovën dhe Serbinë për mosnisjen e zbatimit të paktit.

Në të kaluarën, liderë të Kosovës, duke filluar nga presidentja e vendit, Vjosa Osmani e deri të kryeministri Albin Kurti, e kanë kritikuar Mirosllav Lajçakun për qëndrime jo të balancuara në dialog dhe për rreshtim në disa raste nga Serbia.

Nuk është e qartë se kur mund ta zhvillojë takimin e parë Sorensen në kuadër të dialogut, duke qenë se Kosova mbajti zgjedhjet politike më 9 shkurt e duhet të formojë qeverinë e re ndërsa Serbia përballet me paqartësi politike midis protestave të mëdha të studentëve. Muajin e kaluar, Kallas tha se po pret që Kosova të formojë qeverinë e re, për të “parë se si të vazhdohet më tej”.