NATO shpreh gatishmërinë për të punuar ngushtë me Peter Sorensenin kur zyrtarisht të nisë punën si i dërguar i Bashkimit Europian për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.
Pozita e tij është konfirmuar një ditë më parë dhe zyrtari do të nisë punën më 1 shkurt.
Vazhdimi i bashkëpunimit mes NATO-s dhe BE-së është kyç për ruajtjen e stabilitetit në rajonin e Ballkanit Perëndimor, vuri në dukje zëdhënësja e NATO-s, Allison Hart përmes një postimi në X, platformë e njohur më parë si Twitter.
Më herët gjatë ditës së djeshme, i dërguari në largim i Bashkimit Europian për Dialogun, Mirosllav Lajçak, bëri të ditur se është takuar me pasardhësin e tij, si dhe janë duke u siguruar që tranzicioni të ndodhë sa më lehtë që është e mundur.
Lajçak ka qenë në postin e ndërmjetësuesit për pesë vjet. Përgjatë mandatit të tij u arrit Marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve, por nuk është bërë asnjë hap drejt zbatimit të saj.
Po dje, emërimin e Sorensenit në pozitën e ndërmjetësuesit, e ka përshëndetuar edhe zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, njëherazi kryenegociator i Kosovës në dialogun me Serbinë.
Ai ka thënë se pret qëndrim balancues ndaj palëve, si parakusht për proces të suksesshëm drejt normalizimit të marrëdhënieve.
Sorensen ka përvojë të gjatë diplomatike në strukturat e BE-së. Ai aktualisht është Këshilltar i lartë në Shërbimin e Veprimit të jashtëm të BE-së (EEAS) për diplomacinë digjitale.
Gjatë karrierës diplomatike në BE, Sorensen ka ushtruar disa detyra në Ballkanin Perëndimor, përfshirë në Kosovë, ku ka punuar në misionin e Kombeve të Bashkuara atje (UNMIK).
Përvoja e tij në rajon thuhet se ka qenë edhe një prej argumenteve se përse kryediplomatja Kaja Kallas ka vendosur që ai të jetë pasardhësi i Lajçakut.
Në të kaluarën, liderë të Kosovës, nisur nga presidentja e vendit, Vjosa Osmani e deri të kryeministri Albin Kurti, e kanë kritikuar Lajçakun për qëndrim të pabalancuar në dialog dhe për rreshtim me raste për nga Serbia.
Vetë Lajçak pati thënë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, muaj më parë, se pretendime të tilla nuk qëndrojnë dhe vlerësonte se shoqëritë në Kosovë dhe Serbi, nuk janë të gatshme për normalizim.