Aktualitet

Vendimi i Kushtetueses, Veliaj dorëzon kërkesë në Gjykatën e Lartë

Mbrojtja ligjore e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, i është drejtuar Gjykatës së Lartë me një kërkesë për përshpejtimin e gjykimit ndaj tij.

Ky hap i avokatit Plarent Ndreca vjen menjëherë pas zbardhjes së vendimit të Gjykatës Kushtetuese, i cili i lë detyra konkrete Gjykatës së Lartë për këtë çështje.

Në kërkesën e depozituar, mbrojtja argumenton se çdo vonesë në rigjykim sjell pasoja të drejtpërdrejta mbi lirinë personale të Veliajt dhe mbi ushtrimin e mandatit të tij kushtetues në krye të Bashkisë së Tiranës.

Sipas argumentit ligjor, nëse shqyrtimi nuk bëhet me përparësi, vendimi rrezikon të mbetet thjesht deklarativ, pasi periudha e mandatit mund të konsumohet përpara se të rivendoset e drejta e ushtrimit të funksionit publik dhe e drejta e zgjedhësve.

“Çdo vonesë në rigjykim nuk është, për rrjedhojë, thjesht vonesë procedurale; ajo konsumon vetë kohën e mandatit dhe e bën gjithnjë e më të pakthyeshme pasojën që masa e sigurimit ka prodhuar mbi ushtrimin e funksionit publik, si dhe të pazbatueshëm efektivisht vendimin e Gjykatës Kushtetuese”, thuhet në kërkesë.

Gjithashtu, avokati kërkon nga Gjykata e Lartë të vlerësojë nëse masa e sigurisë “arrest në burg” mbetet proporcionale dhe nëse janë shqyrtuar masa alternative.

“Kërkesa për përshpejtim nuk mbështetet në një interes abstrakt për shqyrtim të shpejtë, por në pasoja konkrete dhe të përditshme mbi lirinë personale, mbi ushtrimin e mandatit të fituar me votë dhe mbi funksionimin e qeverisjes vendore në Bashkinë e Tiranës”, thuhet në kërkesë.

Një tjetër pikë e fortë e kërkesës lidhet me mbajtjen e Veliajt në kabinën e xhamtë gjatë seancave, çka sipas mbrojtjes cenon dinjitetin njerëzor, prezumimin e pafajësisë dhe pengon komunikimin konfidencial e efektiv për një mbrojtje cilësore në proces.