Aktualitet

Nis gjyqi ndaj Erion Veliajt në GJKKO, kryebashkiaku s’do të marrë pjesë në seancë, Ajola Xoxa kërkon pezullimin e shqyrtimit gjyqësor

Sot mbahet në Gjykatën e Posaçme gjyqi për kryebashkiakun Erion Veliaj.

Gazetarja e Top Channel, Anila Hoxha, raporton se kryebashkiaku nuk do të marrë pjesë në seancën e gjyqit në themel, teksa tashmë ka nisur procesi në GJKKO.

Veliaj nuk paraqitet tek ky gjyq sepse ka deklaruar më parë se “pa e nxjerrë nga kafazi i xhamtë” nuk do të paraqitet në seancë.

Nga ana tjetër gjykata ka konstatuar gjatë seancës që Veliaj nuk do të marrë pjesë, por do të përfaqësohet nga avokati i tij.

Gjykata: Veliaj ka dijeni për seancën e sotme, ai bën me dije se ka marrë dijeni dhe deklaron se dëshiron të përfaqësohet nga avokati Plarent Ndreca, i cili është prezent. E pandehura Ajola Xoxa nuk është e pranishme por përfaqësohet nga avokatët e saj.

Avokati i Ajola Xoxës: E pandehura ka shprehur qëndrimin e saj pasi bën prezent faktin se në 29 qershor ka kryer lindje me cezarian dhe për këtë arsye nuk mundet të komunikojë lirshëm. Për këtë arsye kërkon shtyrjen e seancës referuar Kushtetutës për të drejtën e nënës dhe për shkak të rrethanave objektive referuar edhe kodit të punës, ligjit për sigurimet shoqërorë ku flitet për leje lindjeje prej 63 ditësh.

Ajola Xoxa ka shkruar një deklaratë që e lexon avokati i saj: Unë kërkoj të jem vetë e pranishme dhe kërkoj pezullimin e shqyrtimit deri sa të përfundoj lejen prej 63 ditësh që ma garanton ligji.

SPAK: Nga ana e avokatit të të pandehurës u kërkua pezullim i shqyrtimit gjyqësor deri sa të përfundojë leja. Kodi i procedurës penale nuk e njeh pezullimin për këto shkaqe. Por nga ana tjetër e pandehura shpreh dëshirën të paraqitet vetë. Është fakt që seanca ka nisur në shtator dhe e pa dehura nuk është paraqitur në asnjë seancë të vetme. Nëse gjykata e çmon të arsyeshme le të ndajë çështjen në ngarkim të të pandehurës Ajola Xoxa nga të pandehurit e tjerë.

Avokati i Xoxës: Presim që gjykata të shprehet. Vetë dispozita e lejoj pezullimin e gjykimit, ka mjaft raste për-shembull kur caktohet një ekspert apo kur i pandehuri ka probleme shëndetësore pezullohet shqyrtimi gjyqësor. Në rastin e nënës qe ka lindur me prerje cezariane, derisa ajo është me raport mjekësor si për çdo nënë që lind kështu, ligji e kërkon që të shtyhet seanca dhe të pezullohet gjykimi. Nëse gjykata mendon ta ndajë çështjen nga të tjerët mendojmë qe s’di ketë ekonomi gjyqësore.

Avokati Maks Haxhia: Për ta saktësuar ne kërkojmë pezullim të të gjithë procesit derisa të përfundojë leja e Xoxës.

Gjykata tërhiqet në Dhomë Këshillimi për të shqyrtuar kërkesën e avokatëve të Ajola Xoxës.