Në Qendrën Memoriale Potoçari në Srebrenicë, në 31-vjetorin e gjenocidit do të varrosen mbetjet mortore të dhjetë viktimave.
Viktima më e re është Senad Jusiq, i lindur në vitin 1975. Ai u zhduk në korrik 1995 në zonën e Bratuncit, ndërsa mbetjet e tij mortore u zhvarrosën në vitin 2022.
Viktima më e moshuar është Ramo Dautoviq, i lindur në vitin 1939, i cili u zhduk në zonën e Zvornikut.
Në mbarë Bosnjë-Hercegovinën dhe në vende të ndryshme të botës, po shënohet 31-vjetori i krimit më të rëndë të luftës në Evropë pas Luftës së Dytë Botërore, gjatë të cilit, në verën e vitit 1995, u vranë mbi 8.300 boshnjakë.
Në Potoçari pritet të marrin pjesë delegacione nga Bosnja dhe nga jashtë vendit, si dhe mijëra pjesëmarrës të Marshit të Paqes, të cilët për tri ditë ecën përgjatë rrugës nëpër të cilën të mbijetuarit u përpoqën të arratiseshin nga Srebrenica e rrethuar.
Më 9 korrik, në Nju Jork u mbajt një ceremoni përkujtimore në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.
Sot, ditë zie është shpallur vetëm në entitetin e Federatës së Bosnjë-Hercegovinës.
Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, në vitin 2007 nxori një vendim ku konstatoi se në korrik të vitit 1995, në Srebrenicën që atëherë ishte zonë e mbrojtur e OKB-së, Ushtria e Republikës Sërpska kreu gjenocid.
Po e njëjta gjykatë e shpalli Serbinë përgjegjëse për mosparandalimin e gjenocidit dhe konstatoi se kishte shkelur detyrimin për të ndëshkuar autorët e gjenocidit.
Para gjykatave të ndryshme, deri më tani më shumë se 50 persona janë dënuar me mbi 700 vjet burgim për gjenocid dhe krime lufte në Srebrenicë.
Me burgim të përjetshëm janë dënuar, ndër të tjerë, ish-presidenti i Republikës Sërpska, Radovan Karaxhiç dhe komandanti i ushtrisë së këtij entiteti, Ratko Mlladiç.