Në Qendrën Përkujtimore në Potoçari, sot do të varrosen shtatë viktima të gjenocidit të Srebrenicës, mes tyre Senajid Avdiq e Hariz Mujiq, të cilët ishin 19 vjeç kur u vranë në korrik të vitit 1995. Me ta do të varrosen edhe Rifet Gabeliq, Hasib Omeroviq, Sejdalija Alliq e Amir Mujçiq. Viktima më e moshuar dhe e vetmja grua që varroset këtë vit është Fata Bektiq, e cila ishte 67 vjeç në korrik të 1995-ës.
Më herët u paralajmërua se në shënimin e 30-vjetorit të gjenocidit pritet të marrin pjesë mbi 150 mijë persona. Shumë delegacione kanë paralajmëruar pjesëmarrjen në Potoçari, edhe një nga Kosova.
Në Bosnjë-Hercegovinë po qëndron një delegacion i lartë i Departamentit amerikan të Shtetit, nën drejtimin e ushtruesit të detyrës së ndihmëssekretarit amerikan për Europën dhe Euroazinë, Brandon Hanrahan. Po ashtu, aty ndodhen dukesha e Edinburgut, Sophie Helen Rhys-Jones, ministrat e jashtëm të Suedisë e Danimarkës dhe nënsekretarja e Kombeve të Bashkuara për Çështje Politike e Ndërtimin e Paqes.
Në Qendrën Përkujtimore Srebrenicë-Potoçar janë varrosur deri tani 6.765 persona. Rreth 250 të tjerë prehen në vende të ndryshme, sipas dëshirës së familjarëve.
Forcat e Ushtrisë së Republikës Sërpska, entitet serb, vranë rreth 8.000 burra dhe djem në Srebrenicë e rrethina, në korrik të vitit 1995. Kjo u cilësua “gjenocid” nga gjykatat ndërkombëtare dhe ato vendore.
Në vitin 2007, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë, konstatoi se në korrik të vitit 1995, në Srebrenicë, që ishte zonë e mbrojtur nga OKB-ja, ushtria e Republikës Srpska kreu gjenocid.
E njëjta gjykatë e shpalli Serbinë fajtore për mosparandalimin e gjenocidit dhe për shkeljen e detyrimit për ndëshkimin e autorëve të tij.
Në maj 2024, Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara, miratoi një rezolutë me të cilën 11 korriku shpallet Dita Ndërkombëtare e Përkujtimit të Gjenocidit në Srebrenicë. Para gjykatave të ndryshme, deri tani janë dënuar mbi 50 persona për gjenocid e krime lufte në Srebrenicë, me mbi 700 vite burgim.
Ndër të dënuarit me burgim të përjetshëm janë edhe presidenti i kohës së luftës i Republikës Sërpska dhe komandanti i ushtrisë së këtij entiteti, Radovan Karaxhiç e Ratko Mlladiç. Gjatë luftës në vitet ’90-të, në Bosnjë-Hercegovinë janë vrarë mbi 100 mijë njerëz, u zhdukën mbi 32 mijë dhe ende po kërkohen eshtrat e 7.600 personave, mes tyre rreth 1.000 viktima të pagjetura pas gjenocidit në Srebrenicë.