Rajoni

Sot mbushen 30 vite nga gjenocidi i Srebrenicës!

Sot shënohet 11 Korriku dhe që nga Organizata e Kombeve të Bashkuara, OKB është shpallur si Dita Ndërkombëtare e Reflektimit dhe Përkujtimit të Gjenocidit të 1995 në Srebrenicë. Mbushen plot 30 vite nga gjenocidi në Srebrenicë, ku në korrik të 1995-ës humbën jetën më shumë se 8 mijë djem e burra myslimanë, në atë që njihet si masakra më e rëndë në Europë që nga Lufta e Dytë Botërore. Miliona të tjerë u zhvendosën dhe familje e komunitete të tëra u shkatërruan.

Lufta që pasoi shpërbërjen e Jugosllavisë mori më shumë se 100 mijë jetë në Bosnjë-Hercegovinë në vitet 1992-1995, kryesisht të myslimanëve boshnjakë e zhvendosi më shumë se dy milion të tjerë. Masakra në Srebrenicë shënoi një nga kapitujt më të errët të asaj lufte.

Në korrik të vitit 1995, ushtria serbe e Bosnjës pushtoi Srebrenicën, ndonëse ishte shpallur “zonë e sigurt” sipas Rezolutës 819 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Ushtria serbe e Bosnjës vrau brutalisht mijëra burra e adoleshentë atje. Pjesa e mbetur e popullsisë myslimane boshnjake, e pranishme në Srebrenicë, rreth 25 mijë gra, fëmijë e të moshuar, u transferua me forcë jashtë enklavës.

Deri më sot, vetëm disa ngjarje janë përcaktuar si gjenocid nga organet kompetente të drejtësisë. Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (GJND) dhe Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë (ICTY) njohën masakrën e myslimanëve boshnjakë në Srebrenicë nga ushtria e Republikës Srpska si një akt gjenocidi.