Aktualitet

Stërvitja “Defender Europe 2023” në sheshin “Nënë Tereza”/Rama: Ngjarja ushtarake më e rëndësishme e vitit!

Stërvitja “Defender Europe 2023”, ngjarja më e rëndësishme ushtarake e vitit zhvillohet sot  në sheshin “Nënë Tereza” në Tiranë. Trupat dhe mjetet ushtarake amerikane, shqiptare e të vendeve partnere të NATO-s do të zbresin pas rreth një ore në këtë shesh, ndërsa kryeministri Edi Rama u ka bërë thirrje qytetarëve për t’iu bashkuar eventit.

Mirëmëngjesi dhe me ftesën që të bashkoheni sot në ngjarjen më të rëndësishme ushtarake të vitit #DefenderEurope23 ku trupat dhe mjetet ushtarake amerikane, shqiptare dhe partnerë zbarkojnë në Tiranë në sheshin “Nënë Tereza”, ju uroj një javë të mbarë!

Krahas kryeministrit Rama, në sheshin “Nënë Tereza” do të jenë dhe Presidenti i Republikës, Bajram Begaj e ambasadorja amerikane, Yuri Kim.

Stërvitja më e madhe e ushtrisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Europë përfshin 24 mijë ushtarakë nga vendet aleate dhe partnerët. Ajo zgjat deri më 23 qershor dhe në fokus është ndërtimi i gatishmërisë e ndërveprueshmërinë mes ushtrive të vendeve partnere dhe Aleancës Veri-Atlantike.

Rreth 7 mijë  trupa amerikane dhe 17 mijë të tjera nga 26 vende aleate dhe partnere do të marrin pjesë në stërvitjen që shtrihet në 10 shtete të ndryshme europiane. Në kuadër të manovrave, afro 7 mijë pajisje u dërguan nga Shtetet e Bashkuara për në Europë ndërsa do të angazhohen edhe 13 mijë pajisje të tjera, të nxjerra nga stoqet e të pozicionuara paraprakisht.

Sipas Pentagonit, “Defender Europe 2023” është krijuar për të demonstruar aftësinë e ushtrisë amerikane për të vendosur me shpejtësi trupa dhe pajisje të besueshme luftarake për të siguruar aleatët, për të penguar ata që do të kërcënonin paqen e Europë e të mbrojë kontinentin nga agresioni. Kujtojmë që të njëjtën stërvitje Shqipëria e priti edhe dy vite më parë.