Një studim tregon se shumë gra tani e vlerësojnë më shumë stabilitetin financiar sesa thjesht potencialin. Gati 8 nga 10 gra thonë se nuk do të lidhen me një burrë që nuk ka makinën ose apartamentin e vet. Ekspertët thonë se në takimet moderne, përgjegjësia financiare po vlerësohet më shumë se pamja, karizma apo hobet e përbashkëta. Stabiliteti, ambicia dhe drejtimi i qartë në jetë janë bërë baza e një marrëdhënie të shëndetshme.
Shpesh flasim për “red flags”, shenjat paralajmëruese që tregojnë se një marrëdhënie mund të jetë e rrezikshme apo toksike. Por psikologët thonë se po aq e rëndësishme është të njohim edhe “green flags”, sjelljet pozitive që tregojnë se një partner është i shëndetshëm emocionalisht dhe i përshtatshëm për një lidhje afatgjatë.
Një nga “green flags” kryesore është aftësia për të komunikuar hapur. Një partner që dëgjon pa të ndërprerë, nuk tallet me ndjenjat e tua dhe përpiqet të të kuptojë, po të tregon se e vlerëson mendimin tënd. Ai/ajo nuk zhduket kur ka problem, por e hap temën, edhe kur është e pakëndshme. Shenjë tjetër shumë e rëndësishme është respektimi i kufijve. Nëse personi pranon “jo”-në tënde, nuk të shtyn në gjëra për të cilat nuk je gati, qoftë fizike, emocionale apo materiale, kjo tregon maturi dhe respekt.
Në kulturën popullore, lidhja “e lumtur” shpesh imagjinohet si një marrëdhënie pa grindje. Por studimet e psikologjisë së çifteve tregojnë krejt të kundërtën: konfliktet janë të pashmangshme dhe mund të jenë edhe të dobishme, nëse menaxhohen si duhet. Pyetja nuk është “a grindeni?”, por “si grindeni?”. Te çiftet e shëndetshme, grindja nuk është luftë, por debat. Partnerët flasin për atë që i shqetëson, shprehin pakënaqësitë e tyre, por shmangin fyerjet dhe përçmimin. Edhe kur zëri ngrihet, ruhet një kufi: nuk preken pikat më të ndjeshme vetëm për të “goditur” tjetrin. Synimi mbetet: “dua të kuptohem” dhe “dua të të kuptoj”, jo “dua të fitoj”.