Shpesh flasim për “red flags”, shenjat paralajmëruese që tregojnë se një marrëdhënie mund të jetë e rrezikshme apo toksike. Por psikologët thonë se po aq e rëndësishme është të njohim edhe “green flags”, sjelljet pozitive që tregojnë se një partner është i shëndetshëm emocionalisht dhe i përshtatshëm për një lidhje afatgjatë.
Një nga “green flags” kryesore është aftësia për të komunikuar hapur. Një partner që dëgjon pa të ndërprerë, nuk tallet me ndjenjat e tua dhe përpiqet të të kuptojë, po të tregon se e vlerëson mendimin tënd. Ai/ajo nuk zhduket kur ka problem, por e hap temën, edhe kur është e pakëndshme.
Shenjë tjetër shumë e rëndësishme është respektimi i kufijve. Nëse personi pranon “jo”-në tënde, nuk të shtyn në gjëra për të cilat nuk je gati, qoftë fizike, emocionale apo materiale, kjo tregon maturi dhe respekt.
Një partner i mirë nuk të ndëshkon kur i thua “jo”, as nuk të bën të ndihesh fajtor pse ke kufijtë e tu.
Një “green flag” i fortë lidhet edhe me mënyrën si ai/ajo flet për njerëzit e tjerë. Nëse flet me respekt për familjen, ish-partnerët, kolegët dhe miqtë, edhe kur ka pasur konflikte, tregon se nuk e ka zakon të përçmojë, të ulë dhe të demonizojë të tjerët. Personi që gjithmonë është “viktima” në çdo histori, shpesh nuk merr përgjegjësitë e veta.
Një tjetër shenjë pozitive është konsistenca: fjalët përputhen me veprimet. Nëse thotë që do të të telefonojë, e bën. Nëse premton diçka, mundohet ta mbajë. Kjo krijon ndjenjë sigurie, sepse e di që mund të mbështetesh te ai/ajo, jo të jetosh në pasiguri e dyshim të vazhdueshëm.
Psikologët theksojnë se askush nuk është perfekt, por kur në një lidhje dominojnë “green flags”, respekti, komunikimi, sinqeriteti, konsistenca, atëherë edhe problemet e pashmangshme të jetës bëhen më të përballueshme.
Lajmi i mirë? Shumë nga këto sjellje mund të mësohen dhe zhvillohen nëse ka vullnet nga të dyja palët.